Top Channel mëson se kampet e refugjatëve që do duan të hyjnë në Itali e më tej në Bashkimin Europian do të ndërtohen në zonën e Gjadrit në Lezhë.
Sipas marrëveshjes, Italisë i jepet e drejta e përdorimit të zonave të përcaktuara pa kundër-shpërblim.
Zonat që do të jepen në përdorim do të menaxhohen tërësisht nga pala italiane, sipas juridiksionit të shtetit italian. Është dakordësuar që numri i migrantëve prezent në zonat e caktuara nuk do të kalojë shifrën 3.000.
Ata do mbahen në strukturat pritëse, vetëm me qëllimin e kryerjes së procedurave kufitare të riatdhesimit dhe pas përfundimit të tyre do të nxirren jashtë territorit të Shqipërisë. Afati maksimal i qëndrimit të tyre do të jetë në përputhje me afatin e përcaktuar në legjislacionin italian për këto procedura. Transporti në territorin shqiptar dhe shoqërimi i emigrantëve pas përfundimit të procedurave jashtë këtij territori do të kryhet nga italianët.
Do jetë shteti italian që do kujdeset për shpenzimet, ushqimin dhe kushtet higjeno-sanitare dhe shërbimet shëndetësore në kamp. Çdo ndihmë nga Shqipëria do të bëhet kundrejt pagesës. Sigurinë në kamp do e ruajnë vetë italianët ndërsa policia shqiptare do angazhohet të ruajë sigurinë në perimetrin e jashtëm si dhe gjatë transportit të migrantëve nga njëra zonë në tjetrën. Policia shqiptare hyn në kampe vetëm në raste rreziku potencial.
Emigrantët nuk do të jenë të lejuar të dalin jashtë zonave të caktuara gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në territorin shqiptar. Në rastet kur kjo nuk do të respektohet, pas lokalizimit nga ana e autoriteteve shqiptare, migrantët do të rikthehen përsëri brenda zonave, duke iu dorëzuar palës italiane. Të gjitha shpenzimet për ngritjen e qendrave dhe infrastrukturës së tyre në zonat e caktuara, shpenzimet shëndetësore, shpenzimet në lidhje me sigurinë do të mbulohen 100 % nga pala italiane.
Top Channel