Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak mbërrin pasdite në Prishtinë në një vizitë të paparalajmëruar, ku pritet të takohet me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.
Lajçaku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.
Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së. Zyra e BE-së në Kosovë e ka konfirmuar që Lajçak qëndron në Kosovë sot dhe nesër.
Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku i prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiç e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.
Nga ana tjetër Brukseli vijon presionin për një zgjidhje mes vendeve, duke theksuar se zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara është rruga e vetme drejt integrimit në BE për Kosovën dhe Serbinë.
Top Channel