Bashkitë në një shoqatë! Veliaj: Për përfaqësim dinjitoz para ndërkombëtarëve

06/11/2023 15:19

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i Shoqatës për Autonomi Vendore, Erion Veliaj, është i mendimit se ka ardhur koha që të gjitha bashkitë e vendit të unifikohen në një shoqatë të vetme, për të pasur një përfaqësim më dinjitoz përpara organizatave ndërkombëtare dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarëve.

“Nuk mund të vazhdojmë të ndarë në dy koka sepse ka ardhur koha që, përpara se të kërkojmë ndihmë, duhet të ftillohemi njëherë vetë. Thirrja mbetet e hapur: Eja diskutojmë një mënyrë se si t’u japim kolegëve të opozitës më shumë vendimmarrje, bashkëkryesi e bashkëqeverisje të kësaj organizate, sepse në thelb është instrumenti me të cilin marrim fondet. Është mëkat të humbasim kohë të çmuar duke u ndarë në dy shoqata dhe duke krijuar një kakofoni, sidomos për donatorët e huaj, që s’kuptojnë pse vazhdon kënga e viteve ’90″– tha Veliaj.

Duke qenë në prag të festës së pavarësisë, Veliaj informoi se për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve në 28 Nëntor.

“Kemi filluar përgatitjet për Paradën e Shqiptarëve në 28 Nëntorit. Është një traditë që për 15 vite ka ndodhur në Nju Jork dhe ideja e “Albanian Roots” është që ta kthejmë në Shqipëri. Duam që vërtet të jetë një festë e madhe. Kemi kaluar situata shumë të vështira si tërmeti, pandemia, Prandaj është një moment tani për t’u ngritur me kokën lart, duke pasur parasysh që në shumicën e rasteve rikuperimi ka qenë i shpejtë. Kemi bërë ndërtesa e ngrehina, shkolla, institucione më të forta, më të bukura, më të mëdha dhe unë besoj se ky është dhe një moment krenarie në 111-vjetorin e Pavarësisë, ndaj ju ftoj të gjithëve të jeni pjesë e asaj dite të jashtëzakonshme”– u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku bëri me dije se vitin e ardhshëm Tirana merr Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, njohur ndryshe si B40.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA