Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se pa nënshkrim nuk ka zbatim të draftit të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Pas kësaj, për Kosovën e Serbinë erdhi një mesazh nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar që tha se palët tashmë kanë dhënë zotimin për marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve e nënshkrimi ose jo nuk është i rëndësishëm.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po ashtu thonë që palët kanë detyrim në momentin e dakordimit.
“Marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm zotimet e krerëve të shteteve mjaftojnë që ajo të jetë marrëveshje ndërkombëtare dhe që duhet të zbatohet”, tha Dritëro Arifi – njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Njohësit shtojnë se Asociacioni është marrëveshje që është nënshkruar në kuadër të dialogut dhe ratifikuar në Kuvendin e Kosovës e nuk ka nevojë për nënshkrim tjetër. Ata thonë që është e nevojshme që nga kjo situatë Kosova të nxjerrë njohjen.
“Zajednica po i them në formë pezhorative duhet të bëhet vetëm nëse kemi njohje ligjore të obligueshme, përndryshe çdo devijim i palës serbe do të ishte fiasko për Kosovën”, deklaroi ai.
Më 26 tetor liderët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel për të diskutuar për planin e ri të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe draftin e statutit të Asociacionit që një javë më herët ua kishin prezantuar emisarët euro-amerikanë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i gatshëm ta nënshkruaj, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç refuzoi.
Top Channel