Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë shpërndarë lule dhe kanë “uruar” deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Urime Zajednica”, iu drejtuan ata deputetëve, para nisjes së seancës plenare, ku pritet të raportojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut, ku u deklarua i gatshëm të nënshkruajë planin e ri të zbatimit të Marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe planin për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ndërkohë, Kurti u detyrua të hyjë në Kuvendin nga dera e pasme, i shoqërua nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, pasi në hyrjet kryesore ndodheshin aktivistët e PSD-së.
Pas takimit në Bruksel, ku i pranishëm ishte edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, Kurti u shpreh se e kishte pranuar propozimin për Asociacionin dhe ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje për normalizim të raporteve, por kjo është kundërshtuar sipas tij nga presidenti serb.
Kurti ka deklaruar vetëm se drafti i propozuar për Asociaconin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Me kërkesë të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, dokumenti nuk është bërë publik.
Top Channel