Studiuesi britanik Timothy Garton Ash promovon librin e ri në Tiranë, nderohet me “Çelësin e Qytetit”

02/11/2023 15:28

Studiuesi dhe autori britanik Timothy Garton Ash u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Veliaj falënderoi studiuesin, i cili ndodhet në kryeqytet për të prezantuar librin e tij “Homelands”, i përkthyer në shqip me titullin “Vendet e mia”, për kontributin e dhënë për Tiranën.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në qytetin tonë një historian të madh dhe një aktivist të shquar si Timothy Garton Ash, i cili jo vetëm përfaqëson më të mirën e Britanisë së Madhe, por edhe më të mirën e botës perëndimore dhe aktivizmit të tij që në vitet ’70, kur ai ka vizituar Shqipërinë, në luftën për të emancipuar dhe hapur shoqëritë pas rënies së komunizmit. Jam shumë i lumtur që je kthyer në vitet ‘90 dhe më në fund po viziten Tiranën e vitit 2023. Ky qytet ky vend ka gjithmonë nevojë për mendje të kthjellëta, edhe për të pasuruar veten me historinë e të tjerëve, e ndoshta për të mos përsëritur gabimet e të tjerëve. Si historian, si mik dhe si aktivist i shquar, dua që ta ndjesh këtë qytet si qytetin tënd. Faleminderit për kontributin dhe për frymëzimin”.

Historiani Timothy Garton Ash tha se ndihet vërtet i mirëpritur në Tiranën që e gjeti totalisht të transformuar dhe që është kthyer në një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët në Europë.

“Në Tiranë kam ardhur për herë të parë në vitin 1978. Asokohe ishte një qytet shumë i ndryshëm, pa vendet tërheqëse fantastike që ka tani. Mendoj se mund ta themi pa mëdyshje që nuk ishte ‘cool’ në atë kohë, dhe ja ku jemi 45 vite më vonë, e tani falë jush dhe kolegëve tuaj, është një qytet i transformuar, duke u kthyer në një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët në Europë. Kjo tregon se mrekullitë mund të ndodhin”.

Timothy Garton Ash është autor i 11 librave, të cilët fokusohen te transformimi i Evropës gjatë gjysmëshekullit të fundit. Ai është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit, studiues dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoover, Universiteti i Stanfordit dhe gjithashtu analist i rregullt i çështjeve ndërkombëtare në të përditshmen britanike, “The Guardian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA