Kuvendi “fushëbetejë”/ Deputetët e opozitës përmbysën karriget dhe tymosën Parlamentin! Maxhoranca miratoi pr/ligjet në këmbë

02/11/2023 09:41

Seancë e pazakontë plenare! Deputetët e ‘Rithemelimit’ kishin ardhur me skenar të qartë sot në Kuvend, duke synuar bllokimin e Foltores.

Ende pa nisur seanca, disa nga deputetët e “Rithemelimit”, kryesuar nga Sali Berisha kanë shkuar në Kuvend duke marrë karriget e maxhorancës dhe duke i përmbysur ato para foltores së parlamentit në shenjë proteste.

Marrja e karrigeve shkaktoi tension mes disa deputetëve të maxhorancës dhe deputetëve të Berishës.Deputeti i PS-se Xhemal Qefalia u perplas me Edmond Spahon.

Pavarësisht kësaj, deputetët e Partisë Socialiste qëndruan në këmbe në vendet e tyre, duke miratuar me karton projektligjet që ishin në rend dite. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, u shpreh e vendosur se Kuvendi do të vijonte me rendin, duke injoruar kaosin që po krijonin deputetët e PD.

Teksa Nikolla prezantonte projektligjet, deputetët përplasnin duart në tavolina, madje ndezën tymuese blu. Zhurma dhe tymi nuk pengoi deputetët e Partisë Socialiste që të miratonin 18 pikat e rendit të ditës. Vetëm pas 30 minutash, seanca u mbyll mes kaosit.

Sipas Berishës dhe deputetëve të tjerë demokratë që e mbështesin këtë aksion, nuk do të ketë më normalitet, nëse “nuk respektohen të drejtat kushtetuese”. Opozita kërkon të miratohen komisionet hetimore që ka kërkuar, të ketë përfaqësuesit e vetë në komisione dhe të “njihet kryetari i PD-së”.

Skenari përsëritet nga seanca e fundit plenare por edhe nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Gjashtë deputetë të Rithemelimit janë të përjashtuar pas situatës kaotike që krijuan në parlament. Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi janë përjashtuar me 10 ditë, ndërsa deputeti Saimir Korreshi me 3 ditë.

09:45 Berisha: Po kërkojmë të drejtat tona kushtetuese

“Ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese, të mohuara në mënyrën më brutale, por që janë interesi, në vlerësimin tonë, i të gjithë shqiptarëve që duan pluralizmin, por janë interesi i të gjithë atyre që votuan kundër qeverisë, për një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë, kryetarin e të cilës, përfaqësuesin e të cilës, ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë.”- u shpreh Berisha.

09:48 Deputeti Salianji: Karriget janë të popullit, prapanicat janë të deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar në rrjetet sociale pas kaosit të krijuar në Kuvend, ku shprehet se nuk do të ketë normalitet, pa u zbatuar kushtetuta. “Karriget janë të popullit, prapanicat janë të deputetëve, nuk do i lejojmë ta tallin me qytetarët! Nuk ka normalitet nëse nuk zbatohet Kushtetuta!“- shkroi Salianji në Facebook.

10:00 Braçe i revoltuar jashtë Kuvendit: Jemi në nivelin e milicisë fashiste. 

“Të hysh nëpër sallat e komisioneve dhe të merresh me deputetin që ke përballë jo me argument por me dhunë, duke dhunuar fizikisht jemi në nivelin e milicisë fashiste. Imponimi me dhunë përkundrejt deputetëve është fashizëm. E gjithë se çfarë po ndodhte atje brenda, kishte të bënte thjeshte dhe vetëm me raportet e tyre me drejtësinë. Me raportin e Sali Berishës me drejtësinë. Ju thashë se nuk jam në dijeni. Përdorën dhunën mes parlamentit si reaksion apo si gjuhë përmes drejtësisë. Ky nuk është dialog me ne“- tha Braçe jashtë Kuvendit.

10:07 Nis mes tensionesh seanca parlamentare, deputetët godasin tavolinat

Ka nisur mes tensioneve seanca e sotme plenare, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tha se ata do ta zhvillojnë seancën plenare në këmbë, ndërsa deputetët e rithemelimit po godasin tavolinat duke penguar seancën.  “Ne do të vazhdojmë në këmbë në nderim të qytetarëve dhe në respekt të tyre.” tha Nikolla në nisje të fjalimit, para se të prezantonte rendin e ditës.

10:22 Tym blu në Kuvend, Salianji ndez tymuese gjatë seancës plenare

Kaosi në seancën plenare është përshkallëzuar edhe me përdorimin e lëndëve tymuese. Teksa mazhoranca po kalon me votim disa projektligje, deputeti Ervin Salianji ndezi nga Foltorja disa tymuese, duke e bërë akoma më të vështirë vazhdimin e seancës.

10:28 Mbyllet seanca plenare në kushte të pazakonta

Mes kaosit, zhurmës dhe tymueseve blu është mbyllur kjo seancë e sotme plenare, ndër më të pazakonta ndonjëherë. Maxhoranca ‘injoroi’ kaosin duke miratuar projektligjet e rendit të ditës.

10:49 Deputeti Salianji: Do të përshkallëzojmë edhe më tej aksionin parlamentar

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është shprehur i vendosur se aksioni i opozitës do të vazhdojë edhe më tej. Për kaosin e krijuar në Kuvend, Salianji tha se karriget u kthyen përmbys pasi ato i përkasin qytetarëve, dhe jo të maxhorancës. Salianji përsëriti se opozita kërkon ngritjen e Komisione Kërkimore që të kontrollohen paratë.

FOTO GALERI
1/49

Top Channel