Pas një seance plenare që zgjati gjatë gjithë natës, Parlamentit i Malit të Zi i dha sot dritën jeshile krijimit të qeverisë së re të kryeministrit Millojko Spajic.
Ekzekutivi, që i jep fund udhëheqjes me mandate teknik të kabinetit të Dritan Abazoviçit, mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiçit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare. Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiçin, do të hyjë në Qeveri pas një viti.
Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiç tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.
Debatet në parlament zhvilloheshin mes protestave të ashpra jashtë tij. Me thirrjet “nuk duam qeveri çetnikesh”, mijëra qytetarë të veshur me simbole kombëtare dhe shtetërore malazeze ngritën zërin kundër zgjedhjes së Andrija Mandiçit si kryetar i ri i Kuvendit. Me marrjen e postit të kryeparlamentarit, Mandiçi, i cili është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe, anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF), u bë praktikisht anëtar i organit më të lartë shtetëror për siguri dhe mbrojtje.
Partia e tij ka shpallur si prioritete kryesore të saj largimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa kundërshton edhe anëtarësimin e malit të Zi në NATO. Mandiç, që gjithashtu mohon gjenocidin e Srebrenicës e mbështet ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë nazistë në Luftën e Dytë Botërore, ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç si dhe me kreun e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Top Channel