Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, reagon Provinca Françeskane: Pronësinë e përfituam në 2008-ën

31/10/2023 20:16

Provinca Françeskane ka reaguar lidhur me konfliktin e ndodhur në Kepin e Rodonit të dielën, i cili degradoi në përplasje fizike dhe përdorim armësh.

Provinca Françeskane në deklaratën publike thekson se pronësinë e territorit e kanë përfituar në vitin 2008 dhe se nuk ka pasur konflikt me asnjë person.

Ndërsa shprehet se distancohet nga dhuna, Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” thekson se: Mes Provincës Françeskane dhe znj. Shtjefni në cilësinë e administratores së Shoqërisë Albania Tourist Resort ka pasur një marrëdhënie kontraktuale qiraje me objekt pronën e Provincës në Kepin e Rodonit, kontratë e cila nuk ka më fuqi ligjore prej datës 14.04.2023 pasi është zgjidhur nga Provinca Françeskane, për arsye të mospagimit të qirasë nga qiramarrësja për më shumë se gjashtë muaj të njëpasnjëshëm, rast i përsëritur për të dytën herë në harkun kohor të dy viteve. Që prej kësaj date, znj. Shtjefni nuk ka më asnjë të drejtë mbi këtë pronë.

Kujtojmë se në prangat e policisë ranë tetë persona, mes tyre edhe ish-deputeti Mark Frroku, të cilët u përfshinë në një sherr masiv.

Përfaqësues të kishës katolike françeskane kanë qenë duke rrethuar këtë pjesë toke për të kufizuar pronën e tyre të cilën e kanë me certifikatë pronësie. Por pronësinë e saj e pretendojnë dhe banorë të zonës. Familja Kaculi ka një tjetër certifikatë pronësie dhe pretendon se e ka fituar atë përmes ligjit 7501. Të dyja palët u përfshinë në një konflikt fizik mes të cilëve dhe ish-deputeti Mark Frroku, po vendosnin gardhin për të rrethuar pronën e tyre.

Ndaj ish-deputetit Mark Frroku, që ishte në rolin e sipërmarrësit, dhe përfaqësuesve të tjerë të kishës françeskane rëndojnë akuzat për “kanosje”, “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “moskallëzim krimi”. Ndërkohë banorët e arrestuar akuzohen për “vetëgjyqësi” dhe “plagosje me dashje”. Në kërkim është shpallur një tjetër person, nga grupi i përfaqësuesve të kishës që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në vendin e ngjarjes.

Pas denoncimit në Fiks Fare në fillim të këtij muaji IMT e bashkisë Durrës pezulloi punimet për rrethimin e tokës derisa të sqarohej nga Kadastra pronësia e tokës. Ndërsa ASHK nuk ka kthyer ende një përgjigje, përfaqësuesit e kishës janë rikthyer për të rrethuar tokën të dielën. Kjo situatë është kthyer në konflikt fizik ku disa persona mbetën të plagosur lehtë nga goditjet.

Konfliktet mes banorëve të zonës dhe kishës françeskane janë të hershme, ndërsa kisha përmes përfaqësuesit ligjor të saj bëri të ditur se ka ndërprerë kontratën me përfaqësuesen e mëparshme të saj Ana Shtjefni e cila në konfliktin mes palëve ka kaluar në mbështetje të banorëve duke deklaruar se të drejtën e pronës mbi tokën e ka familja Kaculi. Gjithsesi do të jenë autoritetet përgjegjëse, fillimisht Kadastra që do të përcaktojë situatën e tokës në konflikt dhe në rast se do të ketë mbivendosje prone, çështja do të kalojë në gjykatë.

Deklarata e plotë:

Enti Fetar, Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” me qendër në Shkodër është subjekt juridik shqiptar që prej vitit 1992, dhe ka shtrirje të pronave dhe objekteve fetare në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Provinca Françeskane “Zoja Nunciatë” deklaron se distancohet dhe është kundër çdo lloj dhune.

Në lidhje me ngjarjen e datës 29 Tetor 2023 në hyrje të Kepit të Rodonit bëjmë me dije sa më poshtë vijon:

– Provinca ka lidhur një kontratë sipërmarrje kryerje punimesh me firmën AML Group shpk për kryerjen e instalimit të rrjetit të rrethimit ekzistues të pjesës jugore të pronës dhe ka filluar punën për zbatimin e kontratës.

– Policia e Manzës ka shkuar në mëngjesin e datës 29.10.2023 në hyrje të Kepit të Rodonit, pasi ishte njoftuar për ndërtim pa leje. Punonjësit e firmës AML Group shpk që po kryenin punimet aty, anë sqaruar Policinë e Manzës duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm dhe pasi u vërtetua se nuk bëhej fjalë për punime pa leje dhe se informacioni ishte i pasaktë, policia është larguar.

– Pas largimit të policisë, disa persona të identifikuar si familjarë të shtetasit Bajram Kaculi, kanë sulmuar me mjete të forta punëtorët e shoqërisë, e cila po zbatonte kontratën e sipërmarrjes. Për t’i ndarë ata, ka ndërhyrë një punonjës i Provincës i cili është dëmtuar dhe është dërguar me urgjencë në spital. Në vendngjarje ka ardhur policia që ka shoqëruar personat e përfshirë aty në konflikt nga të dy palët dhe çështja është në ndjekje nga organet proceduese.

Në lidhje me Pronën e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” në Kepin e Rodonit, sqarojmë sa më poshtë vijon:

– Provinca Françeskane, ka përfituar pronësinë në territorin e Kepit të Rodonit me Vendimin nr. 416 datë 31.01.2008 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe nuk ka pasur konflikt me asnjë shtetas. Për pronësinë e pasurisë nr.30/6 ka paraqitur pretendim një shtetas i katundit Shetaj. Normalisht për një pretendim të tillë ai shtetas duhet t’i drejtohet gjykatës, pasi kjo pasuri është regjistruar nga Provinca që në vitin 2008, ndërsa ky shtetas e ka të regjistruar në vitin 2019.

Kjo pronë në Kepin e Rodonit është pronë e Provincës Françeskane Zoja Nunciatë dhe jo e Kishës Katolike në Shqipëri.

– Pas ngjarjes së datës 29.10.2023, në disa Media është theksuar fakti se shtetësja Ana Shtjefni është përfaqësuesja e Provincës Françeskane. Sqarojmë se kjo nuk është e vërtetë, znj Shtjefni nuk është përfaqësuese e Provincës Françeskane.

Mes Provincës Françeskane dhe znj. Shtjefni në cilësinë e administratores së Shoqërisë Albania Tourist Resort ka pasur një marrëdhënie kontraktuale qiraje me objekt pronën e Provincës në Kepin e Rodonit, kontratë e cila nuk ka më fuqi ligjore prej datës 14.04.2023 pasi është zgjidhur nga Provinca Françeskane, për arsye të mospagimit të qirasë nga qiramarrësja për më shumë se gjashtë muaj të njëpasnjëshëm, rast i përsëritur për të dytën herë në harkun kohor të dy viteve. Që prej kësaj date, znj. Shtjefni nuk ka më asnjë të drejtë mbi këtë pronë.

Deklarata publike për Kepin e Rodonit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA