Hetimi për pengimin e drejtësisë/ Kosovë, sërish kontrolle në shtëpitë e bashkëpunëtorëve të Thaçit

31/10/2023 19:40

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar edhe të martën me bastisje. Kësaj radhe nga EULEX-i është bastisur banesa e Artan Behramit, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçit.

Edhe një ditë më parë u kryen kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të ish-presidentit, ku u konfiskuan telefona dhe dokumente nga banesat e Bashkim Smakajt dhe Blerim Shalës.

Dyshimet kryesore që rëndojnë mbi ta janë pengim i drejtësisë. Njohësit e punës së Gjykatës Speciale thonë që këto bastisje janë në kundërshtim me ligjin.

 “Prokurori Special dhe Gjykata Speciale që po i lëshon urdhëresat për bastisje të bashkëpunëtorët të ish-presidentit janë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale pasi konsiderohet që hetimet për këtë çështje kanë përfunduar”, tha avokati Skënder Musa.

Avokati shton se ka pasur raste të bastisjeve edhe te personat që nuk dyshohet se kanë penguar drejtësinë.

“Është interesant që urdhëresat për bastisje janë edhe te personat që nuk janë fare të dyshimtë që kanë penguar drejtësinë e nuk janë të inkriminuar në asnjë formë e as rrethanë, ndërkaq në periudhën e luftës nuk kanë qenë as luftëtarë”, tha Musa.

Juristi thotë se ka një tendencë për të frikësuar personat e caktuar që diskutojnë për Gjykatën Speciale.

“Përpjekja dhe kontrollet edhe ndaj gazetarëve e opinionistëve mund të komentohet si përpjekje për t’i frikësuar mjetet e informimit dhe njerëzit publik që diskutojnë për Gjykatën Speciale”, tha ai.

Edhe në muajin shtator me urdhër të Gjykatës Speciale u bastisën banesat e familjarëve të dëshmorëve e veteranëve të luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA