Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina edhe zyrtarisht ka kandiduar që të shpallet si “Qytet evropian i sportit” për vitin 2024.
Komisioni vlerësues evropian, ACES Europe ka qëndruar për dy ditë në Prishtinë ku ka inspektuar dhe vlerësuar situatën në lidhje me infrastrukturën sportive dhe qëllimi kryesor i kësaj kandidature është që të gjitha aktivitetet sportive që zhvillohen vitin e ardhshëm në Prishtinë të promovohen edhe nëpër vende të tjerave evropiane.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo kandidaturë nuk është vetëm sa për titull prestigjioz, por edhe për të dëshmuar se Prishtina është vend me gamë të gjerë sportive.
“Kemi paraqitur kandidaturën që Prishtinën tonë të na e pranojnë si njërin nga qytete evropiane të sporteve të vitit 2024. Kjo kandidaturë e Prishtinës nuk është thjeshtë aspiratë për një tjetër titull, ajo përbën një shpalle të hapur dhe është zotim i qartë për të krijuar një qytet që përqafon shëndetin, gjithëpërfshirjen dhe elanin sportiv. Prishtina, zemra e Kosovës, po kalon nëpër një metamorfozë që ndërthur vlerat tona thelbësore me një gamë të gjerë të sporteve e të ngjarjeve sportive…Vizioni ynë për vitin 2024 është dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundshëm ndaj të gjitha këtyre idealeve. Rrugëtimi ynë drejt titullit të qytetit evropian të sportit i ka rrënjët te besimi se sportet janë një forcë e pandalshme dhe motor i fuqishëm për lëvizje dhe ndryshime pozitive…Ne e shohim këtë kandidaturë si një hap të rëndësishëm që do të na ndihmojë shumë drejt qëllimit tonë madhor”, tha Rama.
Ndërkohë që anëtari i këtij komisionin vlerësues nga Evropa, Hugo Alonso u shpreh shumë i bindur dhe madje i impresionuar më atë që ka parë me profilin sportiv që ka parë në Prishtinë dhe se meriton që ta fitojë titullin “Prishtina qytet evropian i sportit”.
“Më duhet të them se Prishtina ka një profil shumë sportiv. Ka një infrastrukturë të jashtëzakonshme sportive. Do të rindërtojë më shumë dhe do ta bëjnë më shumë edhe për shkak të Lojërave Mesdhetare 2030, po flisnim, mendoj dje, për 300 milionë euro investim, ky është investim i madh në objektet sportive. Kanë një përqindje të lartë të njerëzve aktivë në qytet, më shumë se 50% praktikojnë sportin në baza javore dhe ata i kushtojnë, dëgjojeni këtë sepse është shumë e rëndësishme, më shumë se 20% të buxhetit vendor sportit, kur mesatarja në Evropë është rreth dy-tre për qind. Pra, duhet të themi se jemi vërtet të impresionuar me profilin sportiv të qytetit të Prishtinës dhe ata i kanë të gjithë përbërësit për t’u bërë qytet evropian i sportit. Ne do të njoftojmë nëse përfundimisht Prishtina e merr titullin, në fund të javës së ardhshme dhe në rast të fitimit të këtij titulli, do ta marrin flamurin, më 7 dhjetor në Parlamentin Evropian me Komisionerin Evropian në një ceremoni të madhe me rreth 500 komuna të ndryshme nga e gjithë bota”, tha Alonso.
Ndryshe, sa i përket organizimeve ndërkombëtare, Kosova gjithashtu ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030./ Kosovapress.
Top Channel