Pas kalimit të sezonit veror, depozitat bankare të përfshira në paranë e gjerë, ku nuk përfshihen ato të qeverisë, jo rezidentëve dhe institucioneve financiare, kanë pësuar ulje.
Në shtator ato regjistruan vlerën e 1.28 trilionë lekëve, duke u ulur me 4.5 miliardë lekë nga gushti. Ndërkohë në krahasim me një vit më parë rritja është e lehtë me vetëm 1%, duke treguar një stanjacion.
Depozitat nisën në nivele rekord në janar, ndërsa deri në korrik pësuan ulje të ndjeshme me 65 miliardë lekë, për tu fryrë sërish në gusht.
Kjo tkurrje e fortë përkon me disa faktorë. E para janë depozitat në lekë ato që janë ulur, ndërsa inflacioni i lartë vazhdon prej dy vitesh duke ulur kursimet e familjeve shqiptare, ndërsa nga krahu tjetër është zhvlerësimi i euros që ka krijuar një ngërç statistikor, pasi shifrat e shprehura në lekë i vlerësojnë ato më pak se vlera reale. Euro u dobësua me gati 15% nga dhjetori i vitit të kaluar dhe vijon të mbetet në nivele të ulëta. Nga krahu tjetër edhe interesat më të favorshme që ofron blerja e borxhit të qeverisë ka tërhequr më shumë para në atë drejtim.
Nëse shikojmë depozitat të shprehura në euro, kursimet në monedhën europiane janë rritur në këto 9 muaj dhe kanë arritur pranë një rekordi historik në vlerën e 7.2 miliardë eurove. Nga janari i këtij vitit janë 807 milionë euro më shumë në banka të depozituara në euro.
Prani e lartë e valutës në banka shkon edhe kundër politikës së de-euroizmit që ndjekin institucionet në vend. FMN kërkoi një agresivitet më të fortë në këtë drejtim, pasi sipas institucionit prania e lartë e monedhës europiane në ekonomi shkakton probleme.
Top Channel