Ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët Monika Kryemadhi e Gazment Bardhi kanë reaguar pas tensioneve të larta në këtë seancë plenare.
Berisha i ka cilësuar zhvillimet e seancës së sotme parlamentare akte të turpshme antiligjore dhe anti kushtetuese.
Përmes një prononcimi për mediet nga oborri i Kuvendit, Berisha u shpreh se bllokimi i Komisioneve Hetimore parlamentare nga mazhoranca janë një përpjekje e kryeministrit Rama për të fshehur lidhjet e ministrave të kabinetit të tij me krimin e organizuar.
“Akte të turpshme antiligjore, anti kushtetuese të parlamentit që bllokon seancën. Opozita po bën një betejë në emër të qytetarëve siç është bërë e ditur. Edi Rama ka anuluar, pezulluar deri tani përveç komisionit hetimor për të zbuluar vjedhjen e shekullit, të gjitha komisionet e tjera parlamentare. Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare sepse vetë ai është flamuri i zi i korrupsionit në Shqipëri. Favorizon dhe pasuron anëtarët e familjes së tij. Sepse vetë ai ka ndërtuar sarajet. Sepse vetë ai dhe e shoqja e tij ka ndërtuar një pallat 5 katësh për të cilat nuk gjendet asnjë dokument i vetëm, sepse toka është blerë me një çmim 2.5 dollar për m2 kur në atë kohë m2 ka qenë 25 dollarë. Edi Rama po bëhet pronar me Alabarin e Dubait të Durrësit duke vjedhur në Portin e Durrësit. Të gjitha këto janë një motiv që të qëndrojmë për kushtetutën. Ka një nen kushtetuta që njeh të drejtë të pacenueshme të pakundërshtueshme të deputetëve të opozitës që me numër të caktuar të firmave të ngrejnë komisionet hetimore parlamentare. Edi Rama nuk e lejon këtë sepse në të gjitha komisionet ai del strumbullar i tyre. Ai del strumbullar në aferën McGonigal, në të cilën vetë Charls McGonigal ka pranuar fajësinë për të gjithë dosjen shqiptare. Kjo dosje lidhet me tre persona, Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën. Edi Rama nuk lejon komision hetimor parlament për patronazhistët se është vetë njeriu që e ka ndërtuar atë. Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare për TIMS-in sepse me të ka zhdukur dhe do të zhdukë gjurmët e Olsi Ramës me kriminelë, do të zhdukë gjurmët e udhëtimeve me charterin e tij privat jashtë vendit apo të Taulant Ballës për lidhjet e tij me bajlozët e krimit dhe të drogës. Rama nuk lejon komisionet sepse deri tani u ka dhënë kriminelëve dhe bajlozëve të drogës, dhe qeveritarëve të tij 6 milion m2 zonë turistike të lirë nga taksat me të drejtë përdorimi për 20 vjet. Ne po mbrojmë një të drejtë themelore dhe kushtetuese dhe jemi këtu për të mbrojtur kushtetutën me çdo kusht”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, deputetja Kryemadhi tha se demokracia dhe toleranca janë të cenuara në vendin tonë.
“Të jem e sinqertë në Shqipëri anormalja është kthyer në normale dhe normalja në anormale, nuk më vjen mirë kur shoh përplasje të tilla, demokracia dhe toleranca janë të cenuara, kam kuptuar se biznesi më fitimtar nuk është ndërtimi por fake news, ndërtohen narrativa të tilla, projektligje. Sot situata e lirisë dhe e të drejtave të njeriut është në një stad që nuk përfshihet në asnjë sistem. Shqipëria është republika e drogës, ku në krye ka një kryeministër, të gjitha institucionet janë kthyer në një institucion të kryeministrit. Sa më dobët të jetë opozita aq më diktatorial do të jetë Rama, do të jetë e vështirë për opozitën dhe mediat”, tha Kryemadhi.
Sa i përket arrestimit të Jamarbër Malltezit ajo tha: Për mua Jamarbër Malltezi është i burgosur politik, Berisha është një i përndjekur politik, nuk i hoqi njeri pasaportën Berluskonit. Loja politike që bëhet është e shëmtuar, janë 16 pronarë dhe pse duhet të arrestohet njëri dhe jo të tjerë?!
Për dhunën në Kuvend, reagoi edhe Bardhi, i cili u shpreh se janë marrë vendime për të asgjësuar opozitën dhe se kjo revoltë është si pasojë e mohimit të çdo të drejte të opozitës.
“Një kërkesë legjitime për të nxjerrë Gardën Republikës, nisi dhe provokoi situatën, prej javësh, maxhoranca e ka futur kuvendin në një ngërç, me veprim të pa precedenta duke nisur nga kryetarja e Kuvendit, deri në votime antikushtetuese, kanë marrë vendime për të asgjësuar opozitën. Beteja jonë e vetme është që parlamenti t’i kthehet rregullave, në atë moment dua të siguroj çdo qytetar që Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Kjo revoltë është si pasojë e mohimit të çdo të drejte të tyre. E kam thënë unë në fillim që maxhoranca po detyron deputetët e opozitës në akte ekstreme, nuk jemi të gatshëm t’ja dhurojmë mandatet Edi Ramës, do të bëjmë çdo betejë me mjete demokratike. Ditën kur në vendosim t’ja dhurojmë mandatet do të dalim para qytetarëve dhe do t’i japim mandatet Edi Ramës. Do mbrojmë mandatet tona që na i kanë dhënë qytetarët”, tha Bardhi.
Top Channel