Mjekët e familjes së shpejti do të kenë protokolle të reja mjekësore për trajtimin e pacientëve, sidomos ata mbi 65 vjeç, të cilët trajtohen për insuficiencë kardiake por që ndikon negativisht për sëmundje të tjera që e shoqërojnë këtë moshë.
“Dihet tashmë se pacientët me insuficiencë kardiake në moshën 65 vjeç kanë edhe sëmundje të tjera. Por ky kompleksitet sëmundjesh ndikon negativisht tek njëra tjetra, ndaj kërkon qasje të reja trajtimi. Ne në mjekësinë interne kemi 70% të pacientëve mbi 65 vjeç”, tha Margarita Resuli, shefe e shërbimit të mjekësisë interne.
Resuli shpjegon se insuficienca kardiake ndikon negativisht tek veshkat, diabeti, mëlçia e kështu më radhë.
“Tek një pacient me insuficiencë kardiake, kur ajo përkeqësohet, përkeqësohen parametrat e veshkës, apo tek pacientët me diabet duhet mjeku endokrinolog të ruajë parametrat, pra është shumë komplekse”, thotë Resuli.
Në spital, trajtimi mjekësor për një pacient vendoset nga një ekip mjekësh multidisiplinorë ndërkohë që mjekët e familjes do të kenë protokollet mjekësore të përditësuara në mënyrë që të mos përkeqësohet një tjetër sëmundje.
“Ne po bëjmë gati protokollet mjekësore të përditësuar të vitit 2023 të cilat do t’ua përcjellim mjekëve të familjes”, shtoi Resuli.
“Unë ju siguroj se do të keni mbështetjen e ministrisë, të gjitha përpjekjet për të përmirësuar, kushtet infrastrukturore për të përmirësuar pajisjet janë tregues i vullnetit të qeverisë për të treguar që jemi bashkë”, tha ministrja e shëndetësisë, Albana Kociu.
Mjekët interistë, endokrinologë, hepatologë, nefrologë janë bërë bashkë në konferencën e parë të mjekësisë interne, për të shkëmbyer ndërmjet tyre të rejat e mjekësisë në dobi të pacientit.
Top Channel