Kryeministri Albin Kurti nuk jep detaje për marrëveshjen e propozuar nga Brukseli për dialogun Kosovë – Serbi, por thotë se është në përputhje me Kushtetutën.
“Na është kërkuar të mos flasim për planin, por emisarët kanë thënë se është në përputhje më Kushtetutën dhe se fjalën vendimtare për të do ta japë Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Kurti për mediat.
Duke folur për presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe faktin se ky i fundit nuk pranoi të nënshkruajë marrëveshjen, Kurti shtoi se “Serbia po sulmon integritetin territorial të Kosovës.
“Së pari, presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan sepse ai i ka thënë po marrëveshjes bazike dhe aneksit e tash i ka rënë pishman. Nuk është rastësi se ka filluar të thotë se zbatimin e marrëveshjes e pranon në mënyrë të kufizuar.
Ju e dini që në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi e tash nuk nënshkruajnë sepse e dinë se ç’ka nënkupton kjo.
Ata sigurohen që të dërgojnë letra anësore që e sulmojnë marrëveshjen bazike dhe aneksin. Mbrëmë morëm vesh se presidenti i Serbisë kërcënon me këto letra që thonë se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës. Ky është sulm ndaj Kosovës, pikërisht federata ruse para sulmit në Ukrainë thoshte se nuk e pranon integritetin territorial të saj”.
Më 24 shtator ka pasur cenim të integritetit territorial”, u shpreh Kurti, duke iu referuar sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku viktimë mbeti efektivi Afrim Bunjaku.
Top Channel