Një gangster adoleshent që qëlloi një vajzë 5-vjeçare në qafë, është dënuar me 50 vjet burg.
16-vjeçari Noah Ney u dënua si i rritur për të shtënat e vitit 2022, pasi një gjykatë vendosi se ai e dinte mjaft mirë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës.
Ney u burgos të hënën pasi dy muaj më parë ai ishte arratisur nga një qendër paraburgimi për të mitur, ku kishte sulmuar stafin, kishte përmbytur qelinë e tij dhe kishte lyer muret me jashtëqitje. Ai u arrestua tre ditë më vonë. Ndihmësprokurori i rrethit Morgan Medders, që rekomandoi burgosjen e 16-vjeçarit, tha se çdo përpjekje e bërë për të ndryshuar sjelljen e tij, ka dështuar.
Ney kishte një precedent penal, kur qëlloi një vajzë pesëvjeçare prillin e kaluar. Në gjykatë u tha se 16-vjeçari ishte anëtar i një bande të quajtur Hoover Crips.
5-vjeçarja ishte duke luajtur brenda shtëpisë së saj, kur një makinë e vjedhur i ka kaluar dhe ka qëlluar drejt saj duke e goditur në qafë dhe në shpatull.
“Kishte shumë njerëz atje gjatë të shtënave me makinë,” i tha Medders gjykatës Tulsa.
Pesëvjeçarja u dërgua në spital për shkak të plagëve të saj dhe nëse plumbi do të kishte shkuar dy centimetra më tej, ajo mund të kishte vdekur. Në gjykatë u tha se të dy prindërit e Ney-t kanë precedentë penalë dhe babai i tij është burgosur disa herë.
Nëna e Ney-t pranoi se djali i saj ishte mizor si me njerëzit ashtu edhe me kafshët, por tha se ajo fajësonte veten për sjelljen e djalit të saj. Tezja e tij tha se ai ishte neglizhuar gjatë gjithë jetës së tij, por në gjykatë u tha se sjellja e Ney-t ishte përkeqësuar kur ai jetonte me tezen dhe gjyshen.
Një fqinj ka dëshmuar se ka shkaktuar kaos në lagje, ka mbajtur armë dhe thika dhe shpesh herë ka kërcënuar fqinjët me to.
Ney u dënua me 50 vjet burg pasi u deklarua fajtor për 12 akuza që përfshinin armë zjarri, drogë, banda, vjedhje dhe sulm. Gjykatësi caktoi një rishikim gjyqësor të dënimit të tij në vitin 2028, ku mund të reduktohej nëse ai tregon pendim.
Top Channel