Ligjvënësi republikan Mike Johnson u zgjodh të mërkurën në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, duke u dhënë fund përplasjeve të brendshme partiake gati një mujore për të zgjedhur drejtuesin e një prej posteve më të larta të shtetit amerikan.
Me një votim 220-209, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve u dhanë fund mosmarrëveshjeve tre javore duke zgjedhur konservatorin Mike Johnson në postin e kryetarit të ri.
“Ai është një besimtar i devotshëm. Mike mishëron atë që do të thotë të jesh në shërbim të publikut. Një jurist i respektuar, i përkushtuar ndaj kushtetutës, Mike ia ka kushtuar jetën e tij ruajtjes së parimeve të larta amerikane për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë”, tha ligjvënësja republikane Elise Stefanik.
Dhoma e ulët e Kongresit amerikan ka qenë pa një udhëheqës dhe e paaftë për të miratuar ligje që nga 3 tetori, kur republikani Kevin McCarthy u bë kryetari i parë që shkarkohet nga detyra.
Tetë anëtarë konservatorë të partisë së tij, së bashku me të gjithë demokratët, votuan për ta shkarkuar, pasi ai miratoi një projektligj afatshkurtër për financimin e qeverisë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Casey Burgat të Universitetit George Washington.
“Ka më shumë se një dekadë, që në gjirin e republikanëve kanë filluar përplasjet. Tani problemet e brendshme po shfaqen në publik. Pika kulmore arriti kur kryetari McCarthy nuk mundi të siguronte votat e partisë së tij për të miratuar financimin e qeverisë”.
Në mandatin e tij të tretë në Kongres, zoti Johnson u emërua vonë të martën pasi ligjvënësi Tom Emmer tërhoqi kandidaturën e tij pas komenteve të ish-Presidentit Donald Trump në rrjetet sociale që e kritikonte atë se ishte republikan vetëm në emër. Zoti Trump e mbështeti ligjvënësin Johnson të mërkurën, para votimit.
“Mendoj se Mike Johnson po ecën shumë mirë. Ai është një ligjvënës i jashtëzakonshëm, i respektuar nga të gjithë. Nuk kam pasur asnjë koment negativ për të. Të gjithë e pëlqejnë dhe ai është i respektuar nga të gjithë.”
I dyti në radhë pas Zëvendës Presidentes Kamala Harris për të marrë postin e presidentit në rast fatkeqësie, zoti Johnson e kundërshton fuqishëm abortin. Ai ishte një prej ligjvënësve republikanë që u bënë pjesë e përpjekjeve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Të 209 demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan për udhëheqësin e grupit të tyre, Hakeem Jeffries dhe paralajmëruan se pikëpamjet e zotit Johnson janë shumë ekstreme.
“A ka të bëjë zgjedhja e tij me diçka tjetër? A ka të bëjë ajo me synimin e republikanëve për të gjetur një individ që është në përputhje me pikëpamjet e tyre ekstreme, të kundërshtojë martesat brenda të njëjtit seks, të ndalojë abortin në mbarë vendin pa përjashtime, të shkurtojë pensionet dhe ndihmën mjekësore për të moshuarit dhe të përmbysë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha ligjvënësi demokrat Pete Aguilar.
Buxheti për financimin afatshkurtër të qeverisë përfundon më 17 nëntor. Ligjvënësit duhet të shqyrtojnë, veç të tjerash, edhe kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për një ndihmë prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin.
Top Channel