Spitalet e Gazës kanë ndërprerë të gjitha shërbimet e tjera përveç atyre emergjente për shkak të mungesës së karburantit.
OKB-ja, ofruesja më e madhe e ndihmës në këtë territor, thotë se puna në spitale do të ndalojë krejtësisht mbrëmjen e sotme kur parashikohet që karburanti të përfundojë krejtësisht.
Izraeli, që ia ka ndërprerë Gazës furnizimin me ushqime, ujë e energji elektrike, nuk lejon kalimin e rezervave të reja të karburantit, por akuzon Hamasin se ka grumbulluar ndërkohë me mijëra litra. “Shkoni kërkojani atij”, ishte thirrja e autoriteteve izraelite për banorët e dëshpëruar të enklavës.
Tetë kamionë të tjerë me ushqime, ujë e ilaçe hynë nga Egjipti në Gaza mbrëmjen e kaluar, por agjencitë ndërkombëtare atje thonë se duhen të paktën 100 kamionë në ditë për të plotësuar nevojat e ngutshme. 80 vetë humbën jetën në Rripin e Gazës nga bombardimet izraelite vetëm gjatë natës.
Ushtria izraelite i ashpërsoi sulmet për të cilat thotë se kanë shkatërruar infrastrukturë terroriste. Në total, bilanci i vdekjeve në gaza kapërceu 5.800. Shteti hebre ndërkohë po hakmerret me OKB-në pas deklaratave të kreut të saj, Antonio Guterres, i cili pretendoi se ka pasur shkelje të ligjit ndërkombëtar teksa Izraeli sulmon nga ajri Gazën dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Ambasadori izraelit në organizatën e Kombeve të Bashkuara, Gilad Erdan deklaroi se vendi i tij do t`i mohojë vizat hyrëse përfaqësuesve të saj.
“Ia kemi mohuar tashmë vizën zv/sekretarit për çështje humanitare, Martin Griffiths. Është koha t`u japim atyre një mësim i mirë”, shtoi ai. Ushtria izraelite njoftoi sakaq se ka shmangur një tentativë tjerë për sulm nga det inga ana e militantëve të Hamasit, të cilët siç tha, janë kapur teksa dilnin nga një tunel i nëndheshëm.
Top Channel