9.3 kilogramë kanabis e mbështjellë në ëntë pako është sekuestruar në Kapshticë këtë të mërkurë.
Sipas informacioneve, gjatë operacionit policor të koduar “Maskimi” në pranga ra R. T., 49 vjeç, banues në fshatin Drenovë të Korçës, pasi dyshohet se do trafikonte drogën me automjetin e tij tip “Benz” në drejtim të Greqisë.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë dhe autoritetet doganore në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Maskimi”. Si rezultat i këtij operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: R. T., 49 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë. Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të Republikës së Shqipërisë, Policia Kufitare ka kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R. T. Gjatë kontrollit të detajuar, në pjesën e bagazhit, tek bombola e gazit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 9.3 kilogramë, sasi të cilën 49-vjeçari synonte t’a trafikonte në drejtim të Greqisë“, sipas njoftimit të policisë.
Hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale vijojnë ende, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme
Top Channel