I ftuar nga Komisioni Europian në forumin “Global Gateëay Forum 2023”, në Bruksel, kryeministri Edi Rama vlerësoi qasjen e presidentes të komisionit Ursula von Der Leyen për një komision gjeopolitik.

U ndal edhe në paketën ekonomike të rritjes prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, anoncuar në forumin e procesit të Berlinit javën e shkuar në Tiranë.

“U gëzuam shumë që dëgjuam atje Presidenten e Komisionit, e cila paraqiti një plan mjaft ambicioz për këtë rajon i cili quhet ‘Plani i ri i Rritjes’. Kjo është vërtetë muzikë për veshët tanë sepse po, reformat janë të nevojshme. Po, demokratizimi i mëtejshëm është i nevojshëm. Po, rreshtimi me vlerat e parimet e Bashkimit Europian është thelbësor, por siç dikur Angela Merkel thoshte: ‘Autostradat nuk funksionojnë siç duhet pa demokraci, por demokracia pa autostrada nuk mund të funksionojë si duhet’. Kësisoj, infrastruktura është e nevojshme”, tha Rama.

Europa, theksoi kryeministri në këtë forum, ka forcën e saj bashkë me fuqinë për të transformuar politikisht dhe ekonomikisht veten, fqinjët e saj dhe miqtë e saj. Por kjo nuk mjafton pa ndihmën e duhur financiare.

“Kjo hapje që po shohim falë kësaj marrëdhënieje gjithmonë e më të ngushtë me Bashkimin Europian, është thelbësore jo vetëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por dhe për vetë Bashkimin Europian. E gjithë buzëqeshja ime, e gjithë dashuria ime, gjithçkaja ime për Europën dhe Bashkimin Europian është pa kushte, por nuk është e pa mend. Vetëm mendoni, që ne rrethohemi nga kufijtë e BE dhe fqinjët tanë që janë BE marrin 4,517 euro për frymë nga vetë Bashkimi Europian. Ajo çfarë marrim ne në E-në, pa B-në është vetëm 138 euro për frymë. Është një hendek shumë i madh që ne e mbushim me dashuri, që e mbushim me shpresë, që e mbushim me ambicie, që e mbushim me ide shumë të qartë që nuk ka asgjë më të mirë që mund të lëmë pas për fëmijët tanë”, tha Rama.

Përpara nisjes së këtij forumi kryeministri Edi Rama është takuar me  Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, ku është  diskutuar mbi Planin e Ri të Rritjes Ekonomike, që u shpall në Samitin e Tiranës.

Top Channel