Sali Berisha vazhdon të marrë veten në mbrojtje nga selia e Partisë Demokratike, duke refuzuar paraqitjen në seancë gjyqësore.
Ai beson se në këtë betejë nuk është i vetëm dhe ka mbështetje të shtuar nga forumet demokratike.
Këtë betejë Berisha nuk e la vetëm në fushën e gjykatës, tani më e spostoi edhe në arenën politike. Kur ende nuk kishte nisur seanca në gjykatë, Sali Berisha mblodhi kryesinë e rithemelimit si emergjencë për të diskutuar reagimin e opozitës përballë zhvillimeve më të fundit.
“Është koha të ngrihemi. Të luftojmë për demokracinë dhe dinjitetin. Nuk ka lidhje me këtë që ndodhi, kjo është thjesht një faktor më shumë për të organizuar betejën pa kthim”.- tha Berisha.
Berisha paralajmëron aktivizimin e demokratëve në disa stade, nga ai në tryezë deri në mosbindje civile. Por vendimin përfundimtar Berisha do e lajmërojë të premten kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar, ku duket se do të ketë edhe bashkëpunimin e Ilir Metës.
“Betejë pa kthim në çdo formë. Çdo formë proteste, sepse ka një gjë, Edi Rama nuk pranon opozitë tjetër, vetëm atë që kontroll, kur opozita nuk kontrollohej prej tij, ai i tregoi vendin, do të jetë betejë deri në fitore.Kam koordinim shumë të mirë me Metën.”
Për anëtarët e kryesisë së rithemelimit, dosja e Berishës në SPAK nuk i përket vetëm atij dhe kundërpërgjigja do të jetë në grup.
“Përballë një regjimi ka vetëm një rrugë për mua si person, mosbindja civile për ta zhbërë nga rrënjët një regjim kriminal e korruptiv’.- u shpreh Flamur Noka.
“Kjo është çështje e opozitës, jo e Berishës”.- tha Jozefina Topalli.
Top Channel