Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Ndërkombëtar të Konservimit të Natyrës, ministrja: Shkëmbime përvojash për zhvillimin e qëndrueshëm në mbrojtje të mjedisit

25/10/2023 11:10

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u diskutua marrëveshja për anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN-Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, e cila më pas do t’i kalojë Kuvendit.

Në daljen e saj për mediat, ministrja Kumbaro u shpreh se deri më sot ka qenë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura anëtare e kësaj organizate, por tashmë bëhet fjalë për anëtarësimin si shtet që i jep Shqipërisë të drejta të plota brenda kësaj organizate.

“Për të parën herë Shqipëria bëhet anëtare si shtet që i jep dhe të drejta më të plota brenda organizatës, por sidomos na siguron shkëmbimin qoftë në vendimmarrje të kësaj organizate në nivel botëror si dhe mundësinë për shkëmbime përvojash më të mira në atë që ne tashmë e kemi caktuar si prioritet: zhvillimin e qëndrueshëm në mbrojtje të mjedisit, mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura dhe kthimin e tyre jo vetëm në vlerat e ekosistemit, por sidomos edhe në destiancione turistike natyrore që na sigurojnë një shtrirje të sezonit turistik përtej atij veror, por edhe një shtrirje në territor”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.

Për ministren Kumbaro, ky është një angazhim në një nivel më të lartë të premtimeve dhe punës së  qeverisë shqiptare në atë që e ka konsideruar që në ditën e parë të këtij mandati të tretë, prioritet: mjedisin dhe zonat e mbrojtura duke theksuar punën për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar që tashmë është në fazën e dytë të punës për planin e menaxhuar të zonës.

Në fund të fjalës së saj, Kumbaro tha se gjithë këto premtime shkojnë paralel edhe me angazhimet e Shqipërisë në planin ndërkombëtar për ndryshimet klimatike, ku në 1 dhjetor do të marrë pjesë në COP28 në Dubai, ku mblidhet edhe samiti i liderëve për ndryshimet klimatike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA