Seanca e radhës për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, do të mbahet në 7 nëntor.

Në procesin që u mbajt këtë të martë, Beleri nuk ishte personalisht i pranishëm në seancë, por përfaqësohej nga avokatët mbrojtës, që morën përgjigjen e gjykatës për disa kërkesa të mëparshme në seancat e mëparshme.

Gazetarja Anila Hoxha raporton se bëhet fjalë për pavlefshmërinë e akteve dhe çdo veprimi hetimor të kryer së pari nga Prokuroria e Vlorës, midis tyre edhe përgjime dhe vëzhgime ambientale, për të cilat mbrojtja këmbëngul se janë të parregullta dhe të paligjshme, ndaj gjykata duhet t’i shpallte të pavlefshme. Gjykata tha që në nisje të seancës se kjo kërkesë nuk merret parasysh.

Menjëherë, reaguan avokatët e Fredi Belerit, të cilët kërkuan përjashtimin e trupës gjyqësore, duke e konsideruar këtë vendimmarrje si të njëanshme dhe kjo kërkesë, sipas gjykatës, do të shqyrtohet në një moment tjetër.

Gjykata ftoi SPAK-un që të vlerësojë kërkesën për gjykim, që edhe njëherë përsëriti të gjithë fabulën hetimore për zgjedhjet lokale, nisur fillimisht nga Prokuroria e Vlorës, që përmes një bashkëpunëtori të drejtësisë, arritën që të shkonin te Fredi Beleri dhe prej aty u zbulua skema e blerjes së votave.

Ndërkohë, në procesin e radhës do të dëgjohen 8 dëshmitarët e Prokurorisë së Posaçme, që kanë ngritur akuzën e korrupsionit në zgjedhje për Fredi Belerin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA