Berisha thirret në gjyq/ Grida Duma: Ai hodhi murin e Berlinit në Shqipëri, nuk do e doja në këtë situatë

24/10/2023 12:18

Grida Duma ka folur në “Wake Up” për përballjen e saj me Ramën dhe Berishën në emisionin e saj “Top Story”.

Përsa i përket përballjes me Ramën, Grida është shprehur se ka qenë një ballafaqim ndryshe nga ajo se çfarë mund të kishin në parlament dhe se ka qenë mjaft profesionale. Sipas Gridës, kryeministri Rama ka pasur një kujdes në gjërat që i thoshte brenda vërtetësisë në intervistë dhe nuk ka qenë agresiv, siç mund të ketë ndodhur në disa studio të tjera televizive.

Duke u ndalur tek ballafaqimi me Berishën, ajo shprehet se i ka dhënë goditjen më të madhe publike drejtpërdrejt duke i drejtuar pyetjen “a duhet që PD-ja të ketë moshën biologjike të Sali Berishës”?

Ndërsa përsa i përket situatës në të cilën ndodhet tani Berisha, Grida Duma shprehet se nuk do donte që personi që krijoji Partinë Demokratike të përballet me një betejë për figurën dhe respektin individual të tij. Sipas Gridës duhet të ketë një ulje në tryezë nga të gjithë faktorët e mëdhenj të politikës së të djathtës, të cilët të dakordësojnë një zgjidhje për këtë çështje.

Grida Duma: Edhe me Berishën ka qenë e njëjta gjë. Presupozohet që unë në të njëjtën mënyrë normale, sidomos me situatat e tij, me vështirësitë që ka shumë atipike dhe specifike në këto momente, do dukej sikur ose do duhej që mos godisja, por ajo që i thashë që a duhet që Partia Demokratike të ketë moshën biologjike të Sali Berishës, unë besoj se është goditja më e madhe që i është dhënë atij në publik drejtpërdrejt, pavarësisht se i është thënë qetësisht nga unë.

Blendi Salaj: Çfarë do i thoshte sot Grida?

Grida Duma: Sot do i thosha që këto beteja ia kemi parë, ia ka parë gjithë opinioni publik dhe qytetarët shqiptarë, besoj që unë nuk do doja kurrë që individit që krijoi një Parti Demokratike, që hodhi Murin e Berlinit në Shqipëri, të mund të vijonte një betejë për figurën dhe respektin individual të tij. Do ishte mirë që në këto momente, këto çështje, t’i rrinin drejtësisë vetëm dhe stablishmenti politik opozitar të kishte një qasje me më shumë higjienë nga kjo, pa përjashtuar fare që Berisha është aty ku është, por një formulë e cila e çliron nga solidariteti me situatën e Berishës si individ, duhet të ishte. Duhet të ketë një ulje në tryezë nga të gjithë faktorët e mëdhenj të politikës së djathtë, të cilët të dakordësojnë një zgjidhje për këtë çështje, sepse nuk mund të jetë çështja sot je apo s’je me Berishën sepse të gjithë e kanë treguar që ia njohin peshën Berishës elektorale dhe të kronologjisë historike. Sot diskutimi është që sa Berisha e njeh peshën që shkakton ai në këtë betejë që nuk është vetëm e drejtësisë, por në fund është edhe elektorale.”

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA