​Osmani kërkon dorëzimin e terroristëve nga Serbia: Masa kundër lidershipit atje

24/10/2023 09:35

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbyllje të fjalimit të saj në KS të OKB-së, ka thënë se Kosova ka nevojë për garanci thelbësore të sigurisë brenda kornizës së sigurisë euroatlantike, rritjen e sigurisë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë dhe miratimin e masave të qarta kundër lidershipit të Serbisë si pengesë.

Osmani në mbledhjen e KS të OKB-së për Kosovën, i kërkoi partnerëve ndërkombëtar që fokusi të jetë në ndalimin e mbështetjes së Serbisë për aktivitetet terroriste kundër Kosovës, duke i nxitur ata që të bashkëpunojnë në hetimin e sulmit të fundit terrorist dhe t’i dorëzojnë terroristët e përfshirë.

Sipas saj, Kosova nuk do t’i jap Serbisë instrumente përmes të cilave ata mund të shkatërrojnë jetët e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe përpiqen të zbehin vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin tonë territorial.

“Konfirmoj se ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë për serbët në Kosovë, por nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes të cilave ata mund të shkatërrojnë jetët e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe përpiqen të zbehin vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin tonë territorial. Zonja dhe zotërinj, Kosova, dikur simbol i vuajtjeve për shkak të luftës gjenocidale të Millosheviçit, është shfaqur sot si një shembull i ndritshëm i demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”.

Ajo ka përmendur edhe raportet dhe publikimet ndërkombëtare, të cilat kanë theksuar vazhdimisht progresin e jashtëzakonshëm demokratik të Kosovës.

“Lutja jonë është e qartë dhe e palëkundur: Kosova ka nevojë për garanci thelbësore të sigurisë brenda kornizës së sigurisë euroatlantike. Ndërsa ecim përpara, ne duhet të fokusohemi në ndalimin e mbështetjes së Serbisë për aktivitetet terroriste kundër Kosovës, duke i nxitur ata që të bashkëpunojnë në hetimin e sulmit të fundit terrorist dhe të na dorëzojnë terroristët e përfshirë. Për më tepër, rritja e sigurisë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë dhe miratimi i masave të qarta kundër lidershipit të Serbisë si pengesë”, tha ajo.

Osmani ia ka përmendur Serbisë listën e moszbatimit të marrëveshjeve, duke thënë se shtuar se Kosova dëshiron një zbatim të plotë dhe të shpejtë të tërësisë së Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit, në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar.

“Nuk duhet të lëmë propagandën të fitojë. Ne duhet të luftojmë për të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë që mund të dëshmohet dhe ajo është se Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni nga Serbia, se Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë për hir të ndalimit të integrimit të tyre në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës; se Serbia dëshiron territorin e Kosovës të cilin nuk do ta marrë kurrë; që Kosova është pala konstruktive në dialog me historikun e zbatimit të shumicës dërrmuese të angazhimeve të saj, dhe se lista e moszbatimit nga Serbia është aq e gjatë saqë do të na duheshin shumë e shumë orë për ta diskutuar atë; se ne duam një zbatim të plotë dhe të shpejtë të tërësisë së Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar; që ndërsa ishim të përkushtuar për bisedime paqësore me Serbinë, ata përdorën forcë; që ne duam drejtësi dhe llogari, dhe Serbia do mohim dhe mosndëshkim; se ne duam paqe dhe Serbia më 24 shtator ka treguar që fatkeqësisht do luftë, por ne nuk do t’i lëmë ta kenë. Siç e dimë të gjithë, demokracia dhe liria mbizotërojnë gjithmonë sepse nuk ka asgjë që mund t’i pengojë një kombi liridashës. Sepse sado të vështira të jenë pengesat, sado e vështirë të jetë rruga, sado e dhimbshme të jetë sakrifica, populli i Kosovës kurrë nuk do të heqë dorë nga liria e tij”.

Osmani iu ka përgjigjur edhe përfaqësuesit të Rusisë në KS-të OKB-së, duke thënë se mjaftoi të dëgjohet fjalimi i Federatës Ruse për të kuptuar se cila palë po thotë të vërtetën dhe cila po hedh falsifikime përmes një makinerie propagandistike.

“Rusia edhe një herë përdori propagandë kundër popullit të Kosovës dhe kundër atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dallimi më i madh mes Kosovës dhe Serbisë është se ne nuk kemi frikë nga drejtësia, prandaj edhe ne vetë kemi krijuar dhomat e specializuara sepse nuk do të lejojmë që të krijohet një ekuivalencë morale mes atyre që kryen gjenocid dhe atyre që mbrojtën popullin tonë nga gjenocidi, siç ishte rasti në të kaluarën, ne kemi besim të plotë se drejtësia do të triumfojë përsëri. …. Ju dëgjuat Rusinë dhe zonjushën Bërnabiq sot duke folur për të ashtuquajturin ‘terror të Kurtit’. Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, por ka qenë edhe i burgosur lufte, pothuajse i torturuar deri në vdekje në burgjet e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë po ato vite ishte Ministër i Propagandës për Millosheviqin. Dhe sikur të mos mjaftonte, ata publikisht deklarojnë edhe në ditët e sotme, përfshirë edhe mbrëmë nga presidenti i Serbisë, se dëshirojnë që Kurtin të mos e kishin liruar kurrë të gjallë nga burgjet. Mirëpo përsëri, kryeministri i Kosovës ka zgjedhur dialogun. Në atë tryezë, të udhëhequr nga negociatorët e BE-së, në njërën anë keni kryeministrin e Kosovës, një i burgosur lufte pothuajse i torturuar për vdekje, dhe në anën tjetër keni ministrin e propagandës, të regjimit që e torturoi. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mjeti i vetëm për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje mes nesh, sepse Kosova është një vend plot me Mandela, Gandi dhe Martin Luther King-a, me njerëz që përpiqen për të ardhmen, për paqen dhe pajtimin”.

Ajo theksoi se parlamenti qeveria jonë, çdo institucion e çdo shtëpi në Republikën e Kosovës është plot me të mbijetuar të krimeve të tmerrshme, por të gjithë të përkushtuar dhe duke punuar për paqen.

“Ky jemi ne, një komb i të mbijetuarve që lulëzon, një komb i përkushtuar ndaj paqes, sepse kemi parë të kundërtën e saj, një komb i përkushtuar ndaj demokracisë sepse ne kemi jetuar të kundërtën e saj, dhe një komb që është gati të paguajë çdo çmim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA