Komedia “10 vjet martesë” u shfaq këtë fundjavë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, duke sjellë humor dhe të qeshura pafund për artdashësit e shumtë durrsakë.
E shkruar nga Alil Vardar, një aktor dhe komedian i njohur belg me origjinë shqiptare, “10 vjet martesë” është një komedi mbi jetën në çift dhe sfidat e saj. Nën regjinë e Andia Xhungës që është dhe një nga dy aktorët e shfaqjes, së bashku me Gentian Zenelaj, komedia sjell momente pikante që e bëjnë publikun të ndjehet pjesë e rrugëtimit martesor.
“Vepra fillon me 10 vjetorin e martesës dhe vijon me retrospektivën që nga momenti i parë i takimit dhe hapat më të rëndësishëm që kalon ky çift në jetë, si martesa, shtatëzania, tradhtia e parë etj dhe me një fund surprizë”, u shpreh regjisorja dhe aktorja Andia Xhunga.
“Ndjehem vetja. 25 vite martesë nuk janë pak. Kam plot gjëra për të thënë qoftë dhe për Gentin, ndonëse shumë gjëra nuk përputhen me Aleksin. Kam përshtypjen që të gjithë meshkujt e Shqipërisë mund të gjejnë 2-20 % të vetes tek Aleksi”, u shpreh Gentjan Zenelaj.
Të dy në përpjekje të ndryshme për t’i shpëtuar rutinës që sjell jeta e gjatë në çift, por dhe një fundi të hidhur kërkojnë ta ndryshojnë atë. Për gruan, 10 vjet martesë janë një ngjarje që ia vlen të festohet, po për burrin e saj, një kohë e mjaftueshme për t’i dhënë fund gjithçkaje përmes divorcit.
Si mund ta bësh për vete burrin pas 10 vitesh martesë?
“Kjo me një striptizëm, duke veshur një kostum që mendon se burri ia ka bërë asaj dhuratë, por në fakt ia ka bërë dikujt tjetër dhuratë, por që s’po e zbuloj që ta shihni vetë”, shprehet aktorja Andia Xhunga.
Përmes skenave të shumta dhe dinamike, dy aktorët përcollën përmes humorit realitete të njohura që e vendosin dashurinë në sprovë, por dhe e nxisin atë të rishfaqet si në ditën e parë.
“Publiku i Durrësit nuk zhgënjen asnjëherë. Është një publik që e ndjek teatrin rregullisht. Nuk kam asnjë hezitim kur vij në Durrës. Publiku është aty dhe dua vetëm ta kënaq”, u shpreh Gentjan Zenelaj.
Komedia do të shfaqet edhe fundjavën e ardhshme në teatrin e Durrësit për të vijuar më pas në teatrot e qyteteve të tjera.
Top Channel