Ullinjtë janë bërë një mall i vlefshëm për Turqinë.
Por, këtë vit pemët e tyre janë bërë pre e vjedhjeve të shumta. Situata është aq alarmante sa në një vendim të pazakontë Ministria e bujqësisë dhe ajo e mbrojtjes u dakorduan për angazhimin e ushtrisë në mbrojtjen e tyre.
Janë 12 milionë pemë ulliri në territoret e bregdetit Egje të Balikesirit dhe Edremit, një zonë që vlerësohet se kontribuon me 10% në prodhimin kombëtar të Turqisë.
Vështirësitë për të kontrolluar një hapësirë kaq të madhe pemësh janë të konsiderueshme. Prandaj ishte i detyrueshëm vendimi për dislokimin e forcave speciale, të angazhuara në patrullime 24-orëshe dhe monitorim të territorit, i cili përfshin përdorimin e dronëve dhe kamerave të zbulimit termik që lejojnë kontrollin gjatë natës.
Produktet si ullirit janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e ekonomisë së Turqisë, i vënë në provë nga inflacioni. Aq më tepër që mungesa e reshjeve ka ulur prodhimin e ullinjve në Itali dhe Spanjë me 20 për qind. Kjo e ka rritur shumë çmimin e vajit në treg, ndërsa vendet po luftojnë për të siguruar sasitë e nevojshme.
Vendimi drastik për mbrojtjen e tyre vjen pas një tjetër mase të papritur: gushtin e kaluar qeveria turke pezulloi eksportin e vajit të ullirit deri në fund të nëntorit. Një vendim që qeveria turke duket se synon ta zgjasë.
Top Channel