Qytetarë durrsakë, pushues vendas e të huaj po shijojnë temperaturat e pazakonta të këtij muaji në bregdetin e Durrësit.
Shëtitorja buzë detit dhe plazhi i madh janë mbushur plot me njerëz këtë tetor plot diell.
“Unë po kënaqem shumë. Po luaj me motrën dhe shoqen time. Mua më pëlqen shumë kështu, që të mos bjerë shi”.
“Si kohë pranverore, po jo i përshtatshëm për këtë muaj që jemi. Është shumë vapë dhe temperaturat shumë të larta. Do ishte mirë të ishte pak më fresk, po në Durrës jemi mirë.”
“Një ditë shumë e bukur. Koha, dhe pse mbrëmë ra shi, shumë e mirë, e përshtatshme dhe pak e freskët për të dalë me kalamajtë.”
“E kam qejf shumë të shtunën dhe të dielën e s’dua të bjerë shi”, shprehen disa pushues.
Moti i kthjellët dhe temperaturat e larta të këtij tetori vazhdojnë të sjellin dhe prurje të reja turistike në Durrës, por edhe trafik të rënduar në rrugët e qytetit dhe ato përgjatë plazheve.
“Ushqim shumë i mirë. Kohë e shkëlqyer dhe një vend shumë i bukur. Njerëz shumë miqësorë dhe mikpritës. Shumë të kënaqur nga udhëtimi ynë këtu. Jemi nga Estonia”, shprehet një turiste.
“Vijmë nga Italia se kam familjen e burrit këtu. Jemi vërtet të lumtur këtu në Durrës. Durrësi është spektakolar”, shprehet një tjetër.
Sipas bizneseve që ofrojnë shërbime hoteliere, turistë të huaj nga vende të ndryshme të botës vazhdojnë të rezervojnë pushimet e tyre buzë Adriatikut edhe në këtë vjeshtë të vonë.
Top Channel