Parku i Vjosës nuk ka ende ndonjë ndryshim të rëndësishëm zhvillimor përveç statusit që mori në momentit e shpalljes së tij “Park Kombëtar”, në maj të këtij viti.
Grupet e ekspertëve dhe shkencëtarëve të shumë fushave që po merren me vlerësimin e situatës për të ndërtuar më tej një plan menaxhimi mendojnë se shpyllëzimi masiv, ndotja e lumit dhe mungesa e kushteve për aktivitete rekreative janë elementë themelorë që do të sfidojnë rrugën e luginës së Vjosës drejt të qenit një park kombëtar.
Mbi 200 mijë banorë të 13 bashkive derdhin çdo ditë në Vjosë tonelata të tëra mbetjesh, ndërsa gati 60% e habitatit natyror të bregut të Vjosës është prekur prej shpyllëzimit masiv dhe sëmundjeve.
“Situata nuk është se ka ndryshuar shumë. Jemi në të njëjtat pozita siç ishim para se të ishte e mbrojtur ligjërisht. Ripyllëzimi është një nga problematikat kryesore dhe e para që duhet adresuar sepse do shumë kohë për t’u sjellë në gjendjen që ka qenë më përpara. Shumica e pyllit është prerë nga dora e njeriut por vitet e fundit ka pasur edhe prekje nga sëmundjet. Ana tjetër është pastrimi shumë i nevojshëm dhe menanxhimi i mbetjeve që mbushin Vjosën. Sigurisht që do të ketë aksione por kërkohen zgjidhje më të qëndrueshme pasi në këtë mënyrë nuk dilet kurrë nga cikli”, tha ambientalistja Besjana Guri.
Në aspektin e përfitimeve për komunitetin plani i ri që po përgatitet do të ketë aksione të detajuara shoqëruar me përmirësime në infrakstrukturë dhe nxitje të ekoturizmit. Por planit do të duhej t’i paraprinin sipas Besjana Gurit dhe ekipit të ambientalistëve nismat lokale dhe fushatat e vullnetarizmit të cilat sapo kanë nisur.
“Duhet ndërgjegjësim për faktin se me një lumë të ndotur nuk mund të kemi përfitime, aksione të shkollave dhe të bashkive”, tha Guri.
Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, ofron një habitat me më shumë se 1100 specie të identifikuara shpendësh dhe kafshësh disa prej tyre të kërcënuara globalisht.
Ambjentalistët dhe grupi i vullnetarëve ndërkombëtarë po përpiqen në këtë fazë të identifikojnë dhe të mbrojnë në një fidanishte disa prej varieteteve autoktone më rezistente të bimëve përfshi këtu rrapin, plepin, shelgun dhe një numër shkurresh mesdhetare si dhe të ndërmarrin aksione pastrimi .
Top Channel