Me ndihmën e Sali Berishës! Si përfitoi Jamarbër Malltezi 5.4 mln euro? Shfrytëzoi ndërtuesin Fatmir Bektashi për të pastruar paratë

22/10/2023 19:32

Në 200 faqe vendim, Gjykata e Posaçme ka pasqyruar gjetjet e prokurores Enkeleda Millonai, se në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”, jo vetëm është kryer korrupsion aktiv dhe pasiv ndaj funksionarëve shtetëror, por edhe pastrim parash. 

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, tashmë i arrestuar për 2 vepra penale dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi i lënë në masën detyrim paraqitje për shkak të moshës, do të dalin këtë të hënë përpara togave të zeza.

Sipas SPAK, më datën 16 tetor të vitit 2006, familjet ish-pronare marrin në dorëzim pronën duke paguar në shtet 10 milionë lekë, ndërkohë 5 muaj më parë ishte ndërtuar shoqëria “Homeplan” nga ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili kishte lidhur marrëveshje me Jamarbër Malltezin dhe Xhimi Begeja, një tjetër përfitues për të investuar në sipërfaqjen e përfituar 9.1 milionë euro, ku Malltezi do të investonte 35% të vlerës.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi pretendon se nëpërmjet investimit tek kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas SPAK janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Fatmir Bektashi, për t’i pastruar këto para.

Nga sekuestrimet e pasqyrave financiare të shoqërisë ka rezultuar se Jamarbër Malltezi nuk ka kryer asnjë investim, prandaj në mënyrë të ligjshme nuk mund të ketë përfituar asnjë të ardhur nga kjo shoqëri, pavarësisht se në dorë të SPAK janë fatura për pagesa kesh dhe dividend që shkojnë në emër të tij.

SPAK argumenton se shoqëria “Homeplan shpk” është krijuar vetëm për të qarkulluar para. Vlera e privatizimit është paguar nga kompania e Bektashit, ndërkohë që roli i Jamarbër Malltezit, ka qenë ndikimi tek institucionet për të privatizuar pronën e më pas për të marrë leje ndërtimi. Për këtë ai dyshohet se familjet përfituese e kanë shpërblyer me 3 -5% të pasurive të tyre të paluajtshme.

Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan shpk”, Bektashi ka siguruar Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën 5.4 mln euro, duke i paraqitur ato si të ardhura të ligjshme nga biznesi, të cilat nuk janë pasqyruar në ILDKPI, as nga Malltezi dhe as nga bashkëshortja e tij, Argita Berisha.

Në këto kushte Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e dhëndrit të ish-kryeministrit, konkretisht 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) si dhe kuotat e kapitalit themeltar më 3 kompani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA