Top Channel ka siguruar dosjen e plotë të ish-kompleksit “Partizani”, për të cilin SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin dhe caktoi masën ‘detyrim paraqitje’ për Sali Berishën dhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Në dosjen prej 200 faqesh të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha shpjegohet se si Malltezi ia doli të privatizojë ish-klubin sportiv “Partizani”, plan që ia doli ta realizojë me ndihmën e vjehrrit të tij, ish-kryeministrit Sali Berisha (në atë kohë kryeministër).
Në fillim, me anë të një prokure të posaçme Jamarbër Malltezi caktohet përfaqëues ligjor i shtetasve Lumturi Cela, Sejdie Kurti, Mirban Kadiu, Teuta Malka, Bashkim Kadiu, Nerime Piro.
Në prokurorë thuhej se “shpërblimi i përfaqësuesit, për të cilin personat e përfaqësuar kanë rënë dakord, do të jetë një kapital 3-5% të pasurisë së tyre të paluajshtme për krijimin e një fondi rezervë për përballimin e shpenzimeve emergjente dhe të paparashikuara. Shuma e vënë në dispozicion është lejuar nga personat e përfaqësuar që të përdoret nga përfaqësuesi Jamarbër Malltezi”.
Mbështetur në këto prokura, rezulton se pala pronare e tokës: Haki Begeja, Nimete Bekteshi, Nusret Kaçurri, Kreshnik Begeja, Lirije Lika, Sanije Velo, Myzejen Ago, Ajete Sulstarova, Gezim, Hoxhire, Ednand, Syzi Begeja, Lımturi Çela, Sejdije Kurti, Meriban, Bashkim Kadiu, Teuta Malka, Elona, Xhimi Begeja, të përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi, Ilir Kadiu si përfaqësues i Vangjeli dhe Manjola Kadiut, i përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi, me kontratë me objekt “Kthimi i destinacionit të tokës nga zonë sportive në zonë për ndërtim banesa, privatizimi i objekteve ekzistuese dhe bashkëpunimi në fushën e ndërtimit për ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional me emrin Paschal ” kanë lidhur kontratë me shoqërinë e ndërtimit “Kontakt”, përfaqësuar nga Fatmir Bektashi.
Në kontratë, vihet re se shoqëria “Kontakt” ka marrë përsipër ndryshimin e destinacionit të zonës, marrjen e lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit.
Ndërkohë, ligji “Për urbanistikën”, përcakton qartë se KRRT-të e rretheve, të bashkive të qyteteve të kategorisë së parë, të Bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH, nuk kanë të drejtë të miratojnë asnjë ndërtim jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara në territore pronë publike te tilla si territore sportive, të përcaktuara në Rregulloren e Urbanistikës.
Por sërish, në kundërshtim me ligjin, Malltezi duket se e ka realizuar premtimin e tij. Në 8 qershor 2006, kryetari i KRRT-së, Bashkia Tiranë ka miratuar kërkesën për ndryshim të destinacionit për rrugën “Frosina Plaku” dhe rruga e Planit Rregullues nga zonë sportive ne zonë banimi. Në vendimin e firmosur nga Sali Berisha në postin e kryetarit të KRRT-së, zona me sipërfaqe 0.7 hektarë në rrugën “Frosina Plaku” ndryshohet nga zonë sportive në zonë banimi”.
Zona për banim ndodhej brenda Klubit Shumësportivësh Partizani!
Në këtë periudhë, janë bërë përpjekje nga Ministria e Mbrojtjes që Klubi i Futbollit Partizani të kalojë në administrim të Komandës Mbështetëse Logjistike dhe të regjistrohet si pronë. Për këtë është nisur edhe një shkresë drejtuar Komandës Mbështetëse Logjistike dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nga shefi i Shtabit, Gjeneral Lejtant Pëllumb Qazimi, ku kërkon të marrë në përgjegjësi administrimi dhe të regjistrojë pronën “Klubi i Futbollit Partizani”. Kërkesa mbeti e pazbatuar për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, ligji i vitit 2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” parashikonte që subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të drejtë të paraqesin kërkesat e reja brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit.
Por, në këtë pikë hyn Sali Berisha. Në dosjen voluminoze të zbardhur nga redaksia e TCH web, thuhet se Këshilli i Ministrave, në kohën që Berisha ishte kryeministër propozoi një ndryshim në këtë ligj dhe u miratua vendimi që subjektet e shpronësuara të mund të depozitonin kërkesat e tyre deri në 1 tetor 2007.
Ligji i mëparshëm theksonte se nuk kthehen pronat e paluajtshme që i shërbejnë një interesi publik, ndërsa me ndryshimin e firmosur nga Sali Berisha, ligji parashikonte se kur shpronësimi ishte bërë për interes publik, por prona nuk shërben më për këtë qëllim, ajo i kthehet subjektit të shpronësuar.
Me ndryshimet e bëra në ligj, Sali Berisha forcoi më shumë pushtetin e vetë dhe të Këshillit të Ministrave, pasi ndryshoi dispozitat në lidhje me organet shtetërore për kthimin dhe kompensimin e pronave.
Kështu, në 21 mars 2007, Komisioni i Kthim Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve merr vendimi që familjes Begeja t’i kthehet prona. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 12.596 metër katrorë dhe Jamarbër Malltezi është një nga trashëgimtarët e pronës, bashkë me Bashkim Bekteshin, Nervit Hoxhën, Rajmonda Bekteshin, Orinda Malltezin dhe Gëzim Begejën.
Pronat i janë kthyer edhe familjes Saliaga, familjes Vaqarri. Pronat u janë kthyer edhe Rexhep Alimehmetit, Sabrije Llagamit (3920 nga 5650 metër katrorë të kërkuar.
SPAK shton më tej se vendimet janë dhënë pa u marrë konfirmimi nga ALUIZNI nëse ndërtimet janë përfshirë në procesin e legalizimeve.
Top Channel