Bombardime në jug të Gazës, palestinezët flasin për mbi 50 të vrarë nga sulmi izraelit

22/10/2023 10:15

Ushtria izraelite njoftoi se do të intensifikojë sulmet në Gaza, përpara se të fillojë pushtimin e planifikuar tokësor, ndërsa Pentagoni tha të dielën se po forconte mbrojtjen në Lindjen e Mesme mbi “përshkallëzimin” që mund të vijë nga Irani dhe aleatët e tij.

Burimet mjekësore në Gaza thanë se më shumë se 55 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite mbrëmjen e së shtunës. Izraeli e ka vendosur në “rrethim total” qytetin pas sulmit vrasës nga militantët e Hamasit më 7 tetor, ku mbetën të vdekur mbi 1400 civilë. Nga krahu tjetër, fushata e bombardimeve ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 4300 palestinezëve, kryesisht civilë.

Bombardimet po i hapin rrugën fazës tjetër të luftës tha admirali Daniel Hagari

“Nga sot, ne do të rrisim goditjet dhe do të minimizojmë rrezikun. Ne do të rrisim sulmet dhe për këtë arsye u bëj thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të vazhdojnë lëvizjen në jug për sigurinë e tyre. Ushtria izraelite do vijojë fazën tjetër të sulmit kur ksuhtet të jenë të duhura”, tha Daniel Hagari.

Konflikti ka ngritur frikën e një lufte më të gjerë rajonale dhe Uashingtoni tha se do të vendoste bateri mbrojtëse dhe batalione shtesë Patriot për të mbrojtur forcat amerikane. Në Sirinë fqinje, raketat izraelite goditën aeroportet ndërkombëtare të Damaskut dhe Aleppos herët të dielën, duke vrarë të paktën dy punëtorë, sipas mediave shtetërore siriane.

Në Libanin jugor, ku Hezbollahu i mbështetur nga Irani ka shkëmbyer zjarr ndërkufitar, Izraeli tha se avioni i tij bombardoi disa prej  objektivave. Hezbollahu tha se gjashtë nga luftëtarët e saj u vranë.

Me rritjen e dhunës rreth kufijve të tij, Izraeli të dielën shtoi 14 komunitete pranë Libanit dhe Sirisë në planin e tij të evakuimit në veri të vendit. Ndërkohë, të shtunën, ndihmat e para hynë në rripin e bllokuar të Gazës, por 20 kamionët e lejuar të kalonin u përshkruan si një “pikë në oqean” duke pasur parasysh situatën “katastrofike” humanitare për 2.4 milionë banorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA