Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi sot masën “arrest me burg” për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe “detyrim paraqitje” për Berishën, pas kërkesës së SPAK, por investigimi i Top Channel nisi dy vite më parë për këtë çështje.
Në mars të vitit 2021, materiali i emisionit investigativ Inside Story në Top Channel shkruante se “një prej pronarëve kryesorë, me 35 % të aksioneve në kompleksin “Magnet” është Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha. Pallatet nuk kanë lënë më asnjë gjurmë nga terrenet sportive. Hap pas hapi Malltezi, duke shfrytëzuar pushtetin e vjehrrit, zaptoi truallin në mënyrë abuzive”.
Veç dokumenteve, në të cilat bazohet investigimi, janë marrë edhe dëshmi, siç është ish-Drejtori i Partizanit , Bujar Labinoti; ish-futbollisti i Partizanit, Ylli Shehu apo Isa Tare, Ish-Drejtori Shumësportëshi Partizani.
Në shkrimin investigativ të Inside Story theksohej se “Në vitet 1995-1999 familjet Begeja, Llagami, Alimehmeti, Vaqarri dhe Saliaga sigurojnë disa vendime për kthimin e truallit të lirë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronës. Çuditërisht, mes pretenduesve ishte edhe Jamarbër Malltezi, edhe pse nuk figuronte si aplikant i drejtpërdrejtë në Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ai ishte një prej trashëgimtarëve të familjes Begeja, me 1/64-ën pjesë takuese, ose e thënë ndryshe pronar i 144 metër katror truall. Përmes kësaj hapësire të papërfillshme ai u fut në lojë.
Familjet pretenduese kishin shkuar në gjykatë për njohjen e pronës dhe çeljen e dëshmive të trashëgimisë. Pavarësisht përçapjeve, nuk kishin arritur dot ta merrnin fizikisht terrenin pasi ligji e pengonte. Në mbi 80 raste, janë iniciuar procese për privatizim të komplekseve sportive, por, pa sukses… Vite më vonë, për klubin Partizani do të ndiqeshin procedura të dyshimta”.
Top Channel