Izraeli, thirrje urgjente “të vetëve”: Largohuni urgjentisht nga Egjipti e Jordania!

21/10/2023 12:07

Izraeli i ka bërë thirrje qytetarëve të vet të largohen menjëherë nga Egjipti dhe Jordania duke shtuar kështu frikën se rreziku i përhapjes së konfliktit në rajon, është real.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit pohoi se tensionet në zonë janë rritur jashtëzakonisht shumë si pasojë e luftës në Gazë. Ai i rriti në nivelin katër paralajmërimet për izraelitët që udhëtojnë drejt Egjiptit dhe Jordanisë: atyre u është kërkuar të kthehen mbrapsht, ndërsa shtetasve të vet që ndodhen tashmë në këto vende u është bërë thirrje të largohen sa më shpejt.

Njoftimi vjen pak ditë pasi Izraeli i tërhoqi diplomatët e vet nga Turqia si masë parandaluese, pas një kërkesë të mëparshme përmes të cilës iu kërkoi qytetarëve po ashtu të largoheshin. Pas sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit, Izraeli është betuar ta shkatërrojë Hamasin një herë e mirë; shteti hebre nisi një fushatë bombardimesh si kundërpërgjigje, duke rrafshuar pjesë të tëra të Gazës e duke vrarë mbi 4000 palestinezë, kryesisht civilë. Me hapjen e pikës kufitare të Raffah, në territor arritën të hyjnë ndihmat e para ndërkombëtare që nga shpërthimi i konfliktit.

Ndihmat që përfshijnë ushqime e ilaçe, por jo karburant, po kalohen me kamionë më të vegjël, dhe do të shpërndahen në të gjithë territorin. Hamasi bëri më herët një lëshim, duke liruar dy pengje, të parët që lihen të lirë që prej sulmit të tij të befasishëm para dy javësh. Judith e Natalie Raanan, nënë e bijë ishin në mesin e 200 personave të rrëmbyer nga militantët palestinezë.

Presidenti Joe Biden pohoi përmes një deklarate se ishin Shtetet e Bashkuara që siguruan lirimin e tyre. Mediat izraelite i identifikuan ato si shtetase amerikane nga Evanston, në shtetin e Ilinoisit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA