GJKKO masa ndaj Berishës dhe Malltezit për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”/ Top Channel zbardh dosjen

21/10/2023 21:39

Top Channel zbardh disa pjesë nga dosja e SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku dyshohet se janë të përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Dyshohet se Berisha, kryeministër në atë kohë ka nxjerrë një sërë aktesh ligjore e nënligjore në funksion të kthimit të pronave dhe privatizimit të klubit Partizani dhe kompleksit shumë sportesh në favor të 5 familjeve e pronarëve ku përfitues i drejtpërdrejtë ishte dhëndri i tij.

Dyshohet se Jamarbër Malltezi ka përfituar 3-5% të pasurisë se paluajtshme të 5 familjeve që ai ka përfaqësuar me prokurë dhe vetë ishte përfaqësues në këmbim të privatizimit, ku ka ndërtuar 17 kulla, sipas dosjes së siguruar nga Anila Hoxha.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi masën “arrest me burg” për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe “detyrim paraqitje” e bllokim pasaporte për Berishën.

Për biznesmenin Fatmir Bektashi rëndon akuza “korrupsion aktiv” dhe GJKKO vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Mbi Berishën rëndon vetëm vepra “ korrupsion pasiv”, ndërsa Malltezi akuzohet për “pastrim parash” dhe “korrupsion pasiv”.

Maltezi dyshohet se pastroi para me Bekteshin, i cili sipas SPAK hapi kompaninë e ndërtimit në të njëjtën kohë kur u krye privatizimi.

Vendimi sipas burimeve të Anila Hoxhës është 199 faqe.

Kujtojmë se Jamarbër Malltezi, i cili më herët mbante postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike u arrestua ndërsa ndodhej në ambientet e aeroportit të Rinasit.

Top Channel