Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot në Beograd ka dënuar fuqishëm sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, teksa ka përsëritur se nuk do të ketë të ardhme evropiane për Serbinë dhe Kosovën pa zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.
Përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë ishin sot për vizitë në Kosovë dhe Serbi, me qëllim rikthimin e dialogut dhe inkurajimit të dy palëve që të angazhohen më seriozisht në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet dy vendeve.
Delegacioni përfshin përfaqësuesit e posaçëm të SHBA-së dhe BE-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, këshilltarët për politikën e jashtme të Presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, si dhe këshilltarin diplomatik të kryeministrit italian, Alessandro Catana.
Lajçak tha se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë pasur takime të gjata me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe se të dyja takimet kanë qenë shumë të rëndësishme.
“Sot kemi pasur takime të gjata, me kryeministrin Kurti në Kosovë dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç këtu në Beograd. Ne së bashku shprehëm se është e rëndësishme dhe shprehëm shqetësimin për zhvillimet negative në procesin e normalizimit që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së. Qëllimi i vizitës ishte të shihet se si të bëhet një progres konkret në zbatimin e marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe deeskalimin pas zhvillimeve të fundit. Dhe ne duhet të jemi shumë të qartë se ne dënojmë fuqishëm sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë dhe aksione konkrete nga Serbia… Të dyja, Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë punën e tyre në deeskalim dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe këtë mesazh e bartëm edhe te presidenti Vuçiç”, tha Lajçak.
Ai gjithashtu kujtoi se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin detyrimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.
“Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë. Ne presim të shohim një zbatim të shpejtë të implementimit për të avancuar procesin e normalizimit”, tha Lajçak.
Lajçak tha gjithashtu se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë temë e takimit të krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën, si dhe se do të diskutohet më vonë në Këshillin e BE-së.
“Kjo vizitë e sotme do të ndikojë direkt në ato diskutime. Siç e kemi thënë shumë herë më parë nuk ka të ardhme evropiane për Serbinë dhe për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve në rrugën e normalizimit dhe marrëveshjeve të mëparshme të dialogut”, tha ai.
Diplomati sllovak shtoi se procesi i dialogut është i rëndësishëm dhe se bisedimet e ndërmjetësve evropianë me Kurtin e Vuçiç do të vazhdojnë ditëve të ardhshme.
Kujtojmë se i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe kolegu i tij amerikan Gabriel Escobar, të shoqëruar nga diplomatët më të lartë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, janë takuar sot në Prishtinë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit deklaroi se nevojitet një “qasje e re” për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
Top Channel