Mëngjesi i sotëm nisi me një valë të re bombardimesh në Rripin e Gazës, e sulmet izraelite nuk kanë kursyer as zonat në jug të territorit, pikërisht atje ku palestinezët janë urdhëruar të kërkojnë strehim.
Autoritetet izraelite kanë nisur ndërkohë evakuimin e një qytetit kufitar me Libanin, ç’ka paraqet sinjalin më të fundit se shteti hebre po bëhet gati të nisë pushtimin tokësor të enklanvës, ç’ka mund të nxisë trazira më të gjera rajonale. Sulmet më të ashpra ajrore janë raportuar në Khan Junis, ku të plagosurit kanë dyndur në spitalin Nasser, i cili është i mbushur plot me pacientë dhe persona që po kërkojnë strehim
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, urdhëroi trupat tokësore që të përgatiten që të shohin Gazën “nga brenda”, duke sugjeruar një sulm tokësor për të shtypur militantët e Hamasit, por pa dhënë sërish afate kohore. Mbi 1 milion persona janë zhvendosur tashmë në Gazë që kur Izraeli urdhëroi evakuimin e banorëve atje drejt jugut. Bilanci i viktimave shënon 3.785 persona, shumica nga ta gra, fëmijë dhe të moshuar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, pothuajse 12.500 të tjerë janë plagosur dhe edhe 1.300 vetë besohet të jenë bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Gjatë sulmeve të Hamasit, në Izrael janë vrarë mbi 1.400 persona, shumica nga ta civilë. Pothuajse 200 të tjerë janë marrë pengje nga militantët. Gjermania po përqëndrohet të furnizojë me ushqime popullsinë civile që vuan dhe të përmirësojë kujdesin shëndetësor, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pas një takimi me ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman Safadi të enjten.
“Ne po përgatitemi që të dërgojmë ekipe mjekësore në Gaza dhe të krijojmë mundësi që të trajtohen fëmijë të plagosur rëndë”, shtoi Baerbock. Ministrja e Jashtme vlerësoi premtimin e Jordanisë për një ndihmë të menjëhershme 5 milionë dollarë për popullatën civile në Rripin e Gazës.
“Apeloj tek të gjithë në rajon, sidomos tek shtetet e Gjirit që të ndjekin këtë shembull të rëndësishëm”, tha Baerbock. Gjatë ditës së sotme thuhet se mund të hapet pika kufitare e Rafahut që lidh Egjiptin me Rripin e Gazës.
Top Channel