Partizani fitoi derbin e parë të kryeqytetit për sezonin 2023/2024 në Superiore.
“Demat” siguruan një sukses drithërues 2-1 përballë Tiranës, duke parakaluar kundërshtarët në renditje.
Kampionët në fuqi të Shqipërisë, janë ngjitur në vendin e dytë me 14 pikë. Egnatia ndodhet dy pikë larg, por Partizani ka luajtur një sfidë më pak.
Atmosfera në “Air Albania” ishte shumë e bukur në derbin numër 200, me të kuqtë që tashmë kryesojnë në përballjet direkte me 79 fitore. Tirana numëron 60 triumfe, teksa 61 takime janë mbyllur në barazim.
Ultras Guerrils, tifogrupi më i madh që mbështet skuadrën e Partizanit, nuk e kurseu ironinë ndaj rivalëve të përjetshëm.
“Prapë deshën me festu barazimin”, lexohet në postimin e ultrasve të kuq, ndërkohë që në foto futbollistët festojnë fitoren emocionuese përpara tribunës së ultrasve.
Bardheblutë e Ahmatajt barazuan përkohësisht rezultatin në minutën e fundit me anë të Florian Hasanit. Por festa e Tiranës zgjati fare pak.
Pasi vetëm disa sekonda më vonë Alfred Mensah shënoi në krahun tjetër pas devijimit të gjuajtjes së Kekos dhe dërgoi Guerrils në ekstazë./ supersport
Top Channel