“Lidershipi amerikan mban botën bashkë”: Në fjalimin televiziv drejtuar kombit, nga zyra Ovale presidenti i SHBA-së, Joe Biden theksoi se Amerika duhet të angazhohet më shumë lidhur me konfliktet në Ukrainë dhe Izrael, e për këtë, do t’i kërkojë Kongresit miliarda dollarë në ndihma ushtarake për të dy vendet e përballura me luftëra të përgjakshme.
Këto konflikte duket sikur janë ende larg, tha Biden, por ato mbeten “jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”. Nëse agresioni ndërkombëtar lejohet të vazhdojë, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, konflikti dhe kaosi mund të përhapen në pjesë të tjera të botës”.
“Hamasi dhe Putini përfaqësojnë kërcënime të ndryshme. Por ata kanë një të përbashkët. Ata duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje. Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë çmimin për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos, vdekje dhe shkatërrim. Ata nuk ndalen dhe çmimi i kërcënimit për Amerikën dhe botën vazhdon të rritet.“-tha Biden.
Kërkesa urgjente që Biden përgatitet t’i dërgojë Kongresit për financime pritet të jetë 105 miliardë dollarë për vitin e ardhshëm. Propozimi, përfshin 60 miliardë dollarë për Ukrainën, pjesa më e madhe e të cilave është për të rimbushur rezervat e armëve amerikane. 14 miliardë dollarë do të jenë ndihma për Izraelin, 10 miliardë për përpjekjet humanitare, 14 miliardë për menaxhimin e kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës dhe luftën kundër trafikut të fentanilit. 7 miliardë dollarë do të jenë për rajonin e Indo-Paqësorit, me në fokus Tajvanin.
“Është një investim mendjehollë që do të sjellë rezultate për sigurinë amerikane për breza me radhë”, tha Biden. Fjalimi i tij erdhi pak pas udhëtimit në Izrael, ku shfaqi solidaritetin e plotë me shtetin hebre dhe luftën e tij kundër Hamasit, edhe nga ana tjetër bëri thirrje për më shumë ndihma humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës.
Top Channel