Bashkia e San Francisco shpërndan jelekë anti-plumb për punonjësit që të dalin në rrugët e qytetit (fotot)

20/10/2023 21:52

Punonjësit e bashkisë së San Francisco në SHBA që duhet të vendosin rregullat strikte te shitjeve në rrugët e qytetit, po marrin tashmë jelekë anti-plumb nga autoritetet që të dalin për të kryer ‘detyrën’ pas sulmeve e kërcënimeve me vdekje, raportohet nga mediat vendore.

Zëdhënësja e punëve publike të bashkisë Rachel Gordon tha për gazetën lokale se stafi saj rregullisht “shtyhen, goditen me objekte dhe ofendohen nga shitës të ndryshëm” të cilët refuzojnë rregullat e lëshuara nga bashkia.

“Sulmet verbale janë të shpeshta,” tha  Gordon, duke shtuar se disa nga inspektorët janë qëlluar me grusht në bark dhe janë kërcënuar me jetë.

Shumë komentatorë thonë se zhvillimi është ‘fillimi i fundit të qytetit’ por kjo është realiteti tashmë për kontrollorët e ushqimit e të lejeve të shitjes në rrugë, që kanë marrë kërcënime dhe janë sulmuar rregullisht nga qytetarët, shkruan rrjeti vendas San Francisco Chronicle.

Qyteti thotë se po përpiqet të largojë shitësit e rrugës që shesin sende shpesh të vjedhura, në qendër të qytetit përfshi sheshet UN Plaza dhe Mission and Market, ku dihet që zhvillohet dhe tregti drogash.

Burimet thonin për mediat se shitësit dhe furnizuesit e tyre janë kryesisht grabitës të momentit që vidhnin çdo gjë nga mjekimet në farmaci, objekte tualeti dhe sende supermarketesh duke i shitur për disa dollarë të shpejtë në zonat e mbushura me të pastrehë.

Kreu i policisë së San Francisco, Bill Scott pranonte problemet në qytet dhe sulmet ndaj inspektorëve.

“Ata janë sulmuar, verbalisht dhe fizikisht, kjo e bën të vështirë që ata të bëjnë detyrën e tyre,” tha Scott për rrjetin lokal ABC7 KGO.

Policia e San Francisco ka marrë së fundmi $15.3 milionë nga qeveria federale për një seri sulmesh ndaj vjedhjeve dhe rishitjes së sendeve të vjedhura në tregun e zi.

Por subjektet tashmë e nxjerrin inatin me inspektorët e bashkisë, sidomos pas publikimit të një videoje këtë muaj ku një punonjës shihej që flakte përtokë karrocën e një shitësi ambulant në zonën bregdetare turistike Fisherman’s Wharf.

Në video shihet që inspektori me jelekun ndriçues ndoqi shitësin e ‘hot dog-ëve’  Juan Carlos Ramirez, derisa i rrëzoi karrocën duke i përhapur në rrugë salçicet, paninet dhe specat.

“Ishte turpëruese,” tha më pas Ramirez në një intervistë për rrjetin lokal ABC7 KGO duke folur në spanjisht.

Disa shitësve ambulantë u janë konfiskuar karrocat nga inspektorët dhe duhet të paguajnë $300 dollarë gjoba për t’i rimarrë.

Zyrtarët thonë se nuk do të lejojnë përhapjen e kulturës së tregtisë së jashtëligjshme prandaj zgjidhja e tyre e momentit është veshja me anti-plumb e inspektorëve dhe shoqërimi i tyre nga policia.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA