Pesëshja diplomatike e përbërë nga emisarët e BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë e Italisë pritet të zbarkojë të shtunën në Kosovë e Serbi.

Misioni kryesor i tyre është rikthimi i palëve në tryezën e diskutimit pas sulmit terrorist të Banjskës, më 24 shtator.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare presin që emisarët të vijnë me kërkesa të qarta për zbatimin e Marrëveshjes bazë të normalizimit.

“Në rikthimin të dialogut Kosovë-Serbi dhe në këtë rikthim mund të ketë edhe propozime të reja, një udhërrëfyes për dialogun ose një kornizë të re ku mund të përbëhet me përshpejtime të procesit me opsione dhe presione edhe më të mëdha se sa kanë qenë”, tha Arbër Fetahu, njohës i çështjeve.

Shtojnë se nuk ka shumë shpresa që do të ndërrojë rrjedha e dialogut.

“Nuk shoh shumë optimizëm marrë parasysh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe mosbashkëpunimin e Qeverisë së Serbisë për zbardhjen e sulmit të 24 shtatorit, që një ritëm i ri të ndodhë tepër shpejtë”, shton Fetahu.

Ndërkohë bëhet e qartë se dialogu nuk mund të vazhdojë në mënyrën tradicionale të tij pas sulmit terrorist të Banjskës, por nuk duhet komplikuar si proces.

“Veprimet e fundit që kanë ndodhë në veri, duhet të ndryshojë edhe metoda e dialogut por që nuk do shumë kalkulime dhe burokraci por thjeshtëzim dhe zbatim të obligimeve”, tha Visar Xani, gjithashtu njohës i çështjeve.

Për herë të fundit, në Bruksel u zhvillua takimi në nivel të lartë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciç, ku palëve iu prezantua sekuencimi i planit të zbatimit të marrëveshjes bazë, që nuk u pranua nga Kurti.

Dhjetë ditë më vonë, nga një sulm terrorist i organizuar nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiç, u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA