Shqiptaro-palestinezi Ahmed Jaber nuk e ndan nga dora telefonin.

Çdo mesazh apo zile që i vjen, e pret me ankth. Është ankthi një djali që vjen pasi, babai i të cilit, Abdullai, nëna shqiptare Albiba me dy vëllezërit Ibrahimin dhe Jakop ndodhen të bllokuar në Gaza.

Në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu,  21-vjeçari i lindur në Tiranë por që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Gaza,  ku ka studiuar gazetari, me një shqipe të ngadaltë,  rrëfen përballjen me vetminë në një lagje të kryeqytetit shqiptarë e të menduarit konstant, nëse familja do t’ia dalë të shpëtojnë gjallë nga vorbulla e luftës.

MUHAMED VELIU: Ahmed si kanë qenë për ty këto ditë pa babanë pa nënën, pa dy vëllezërit e mbetur të bllokuar në Gaza?

AHMED JABER: Normalisht shumë të vështira. Sapo më vjen një mesazh apo një telefonatë me shumë frikë e hap se mos dëgjoj ndonjë lajm të keq largqoftë. Shpresoj që Zoti t’i mbrojë jo vetëm familjen time por edhe të gjithë popullin e Gazës.

MUHAMED VELIU: Kur ka qenë biseda juaj e fundit me prindërit?

AHMED JABER; Dje fola pak me babin. Vetëm shumë pak nga që nuk kanë shumë internet. Vetëm me të shkruajtur dhe vonojnë deri sa i mbërrijnë mesazhet. Si jeni? A jeni mirë? Kaq. Nuk kanë lëvizur. Janë në një vend Maskal Jabalia. Zakonisht kur ndodh luftë nuk goditen këto vende pasi janë të Kombeve të Bashkuara ku shkojnë të rriJnë refugjatë. Aty ka spitale dhe shkolla. Zakonisht atje shkojnë. Kjo luftë është ndryshe. Edhe këto vende përfshi të gjithë Gazën nuk gjen një vend të jetë i sigurt. Të gjitha janë goditur nga Izraeli. Nuk e di. Shumë gjë e çuditshme po ndodh. Zemra nuk po na i duron. Vetëm po them. Zoti i ruajtë.

MUHAMED VELIU: Kur ti shkon në shtëpi dhe e gjen bosh pa vëllezërit e tu më të vegjël pa prindërit. Çfarë ndjesie ke?

AHMED JABER: Familjen e kam në rrezik. Kjo është ajo që më tremb. Më streson. Nuk është se vetëm unë si djalë jam vetëm dhe larg prindërve. Ka shumë djem të tillë. Normalisht shtëpia bosh nuk ke dëshirë të bësh asgjë.

MUHAMED VELIU: Kur unë kam folur me babanë tuaj dy ditë më parë dhe e kam intervistuar, më tha se nuk mund të largohej nga Gaza pasi nuk mund t’i linte aty nënën dhe motrën e tij…

AHMED JABER: Edhe unë nëse do të isha në vendin e babait tim nuk do të lija mamanë time edhe motrën time në rrezik e unë të shpëtoja. Motra ime, nëna ime siç jam unë tani që kam shpëtuar por e kam nënën në rrezik zemrën e kam të djegur flakë. Të njëjtën gjë ka edhe babai im. Nuk mund të lërë familjen atje në rrezik dhe ai vetë të shpëtojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA