Mes miliona shtetasve të huaj që vazhdojnë ta vizitojnë vendin tonë, me qindra prej tyre kanë si qëllim të vizitës trajtimet mjekësore.
Ne jemi dëshmitarë të faktit që shohim rrugëve të qytetit të huaj, kryesisht italianë me pjesë të fytyrës të fashuara.
“Unë kam ardhur në Tiranë për arsye mjekësore, estetike. Jam nga Kalabria dhe do të qëndroj 10 ditë në Shqipëri. Këtu ka mjekë italianë, është edhe më lirë, ndaj vendosa që ndërhyrjen ta kryej këtu”.
“Shohim shumë të rinj kryesisht me hundë të fashuar. Të huajt bëjnë ndërhyrje estetike në hundë, mollëza, mbjellin flokë, kemi edhe turizmin dentar”.
“Këtë vit kemi parë shumë italianë të rinj kryesisht që I bëjnë këtu ndërhyrjet se është lirë”, janë shprehur disa italianë dhe shqiptarë.
Krahas turizmit shumëvjeçar dentar dhe estetik, vitet e fundit në vendin tonë vërehet edhe turizmi i fertilitetit. Vitin e shkuar referuar INSTAT-it pati rreth 2400 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë për qëllime mjekësorë.
“Kryesisht janë çifte që vijnë nga Italia, nga Anglia, Rumania, pra nga vendet e Europës. Arsyet që vijnë këtu, më e shpeshta është që njëri nga partnerët është shqiptar. Vijnë këtu për pushime dhe nisin procedurat për fertilizimin invitro. Edhe shanset e larta të suksesit që ka patur Shqipëria dhe procedurat e thjeshtuara, aksesi më i lehtë tek shërbimet, ekzaminimet janë arsye të tjera. Çmimet janë gjithashtu favorizuese. Numri i çifteve që konsultojmë sa vjen dhe rritet. Unë kam 10 vjet që punoj si specialist e fertilitetit dhe nëse më përpara konsultonim 1 apo 2 çifte, tani kemi edhe 10 deri në 20 çifte në vit”, shprehet mjekja Obstetre-Gjinekologe Otilja Dekovi.
Top Channel