“Nga ato që kam parë, duket që sulmi nuk ka ardhur nga ju”!
Presidenti amerikan Joe Biden i ofroi mbështetje të plotë Benjamin Netanyahut në një moment të vështirë për të. Në kohën kur shumë fajësojnë Izraelin për shpërthimin që shkatërroi një spital të Gazës duke marrë me qindra jetë njerëzish, shefi i Shtëpisë së Bardhë mbështeti pretendimet e vendit hebre, se në fakt nuk ishte një bombë shkaku i tragjedisë, por një raketë e lëshuar nga militantët palestinezë.
“Jam thellësisht i trishtuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës një ditë më parë. Bazuar në ato që pashë, duket se kjo është bërë nga krahu tjetër, jo nga ju”, shprehet Biden.
Në mbështetje të pretendimeve të veta, se spitali u godit nga një raketë e devijuar e organizatës terroriste Xhihadi Islamik, Izraeli publikoi edhe përgjimin e një bisede të grupit terrorist palestinez, Xhihadi Islamik, në të cilin luftëtarët e tij, sipas zyrtarëve izraelitë, pranojnë gabimin në goditje.
Në show-n e tij të mbështetjes për shtetin hebre, Biden theksoi se kishte dashur të udhëtonte drejt Tel Avivit për një arsye mjaft të thjeshtë.
“Unë desha që populli i Izraelit, që e gjithë bota ta njohë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Ne gjithashtu duhet të mbajmë parasysh edhe faktin që Hamasi nuk përfaaqëson të gjithë popullin palestinez dhe i ka sjellë atij vetëm vuajtje”, shprehet Biden.
Hamasi, autoritetet palestineze dhe disa vende të tjera, fajësojnë Izraelin për ngjarjen. Shpërthimi në spitalin e vetëm të krishterë të Gazës në vigjilje të vizitës së tij në Izrael, e vështirësoi së tepërmi misionin e Bidenit, në mesin e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar që konflikit të mos zgjerohet më tej.
Jordania e anuloi samitin e planifikuar atje mes presidentit amerikan e liderëve të saj, Egjiptit e Autoritetit Palestinez, teksa liderët e vendeve arabe përgatiten për një valë indinjate të shtetasve të tyre ndaj ngjarjes që ka shkaktuar zemërim të pamatë.
Top Channel