Biden do të vizitojë sot Izraelin, në përpjekje që lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë

18/10/2023 09:34

Presidenti amerikan, Joe Biden, viziton të mërkurën Izraelin për një përpjekje diplomatike që lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë, një sfidë që është bërë më e vështirë pasi zemërimi u rrit në mbarë Lindjen e Mesme lidhur me një shpërthim që vrau qindra persona në një spital në Rripin e Gazës.

Fillimisht, Biden ishte paraparë të vizitonte edhe Jordaninë, por takimet e tij me liderët arabë janë anuluar teksa ai u nis nga Uashingtoni.

Tani Biden do të qëndrojë vetëm në Izrael, ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Izraeli është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm tokësor të Gazës në përgjigje të sulmeve të grupit militant palestinez, Hamas, që kanë lënë të vrarë 1.400 izraelitë.

Zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve që po udhëtonin me ekipin e Bidenit për në Izrael se presidenti amerikan “dëshiron të marrë qëndrimin izraelit për situatën në terren” dhe “do të bëjë disa pyetje të vëshira”.

“Ai do t’i pyes ata si një mik”, shtoi Kirby.

Presidenti amerikan po ashtu mund të takohet me ekipet e emergjencave dhe me familjarët e viktimave dhe të pengjeve që janë marrë nga Hamasi gjatë sulmeve të militantëve në Izrael.

Pothuajse 2.800 palestinezë raportohet se janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gazë. Edhe 1.200 persona besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, të gjallë apo të vdekur, kanë thënë autoritetet shëndetësore.

Këto shifra nuk përfshijnë edhe viktimat e shpërthimit të së martës në spitalin Al-Ahli. Ende nuk është përcaktuar shkaku i shpërthimit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, territor që kontrollohet nga Hamasi, tha se një sulm ajror izraelit goditi spitalin. Ushtria izraelite mohoi përfshirjen dhe tha se një sulm i dështuar me raketë nga grupi militant palestinez, Xhihadi Islamik, ishte përgjegjës për sulmin. Megjithatë, ky grup ka mohuar përgjegjësinë.

Biden tha përmes një deklarate se ishte “i zemëruar dhe thellësisht i pikëlluar nga shpërthimi në spitalin Al-Ahli në Gazë dhe për humbjen e tmerrshme të jetës si rezultat i shpërthimit”. Ai po ashtu tha se “kam udhëzuar ekipin tim të sigurisë kombëtare për të vazhduar mbledhjen e informacioneve lidhur me atë se çfarë ndodhi saktësisht”.

Protestat mbërthyen mbarë rajonin pas vdekjeve të raportuara në spitalin e Gazës, në të cilin po trajtoheshin palestinezët e plagosur dhe ku gjendeshin edhe civilë të tjerë që po strehoheshin nga luftimet.

Qindra palestinezë protestuan në qytetet kryesore në Bregun Perëndimor, përfshirë edhe në Ramallah. Protesta janë mbajtur edhe në Bejrut dhe Aman, ku turma të zemëruara u mblodhën para ndërtesave të ambasadave izraelite.

Njerëz duke u dërguar në spitalin Shifa, pas një sulmi ajror në spitalin e afërt Al-Ahli, në Rripin e Gazës, 17 tetor 2023.

Zemërimi për shpërthimin në spitali bëri që Bidenit t’i aludohej vizita në Jordani, ku Mbreti Abdullah II kishte planifikuar të ishte nikoqir i një takimi me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi. Por, Abbas u tërhoq nga takimi në shenjë proteste dhe më pas samiti u anulua.

Kirby tha se ishte një vendim i “përbashkët” i Jordanisë dhe SHBA-së për të anuluar takimet e presidentit Biden në këtë shtet. Ai tha se lideri amerikan do të ketë mundësi të bisedojë me liderët arabë përmes telefonit kur të kthehet në Uashington.

Vizita e liderit amerikan në Izrael përkon edhe me rritjen e shqetësimeve humanitare në Gazë, territor ku Izraeli ka bllokuar dërgesat me ushqim, karburante dhe ujë. Ndërmjetësuesit po tentojnë që të heqin bllokadën dhe që ndihma të arrijë te civilët dhe spitalet./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA