Sulmi në Belgjikë/ Ndeshja me Suedinë u ndërpre, Presidenti i Federatës: E braktisëm në respekt të jetës

17/10/2023 09:35

Ndeshja kualifikuese e mbrëmjes së të hënës mes Belgjikës dhe Suedisë u ndërpre pas përfundimit të pjesës së parë.

Arsyet nuk kishin të bënin me aspektin sportiv, por me atë që ndodhi jashtë impiantit King Baudouin Stadium në Bruksel. Dy tifozë suedezë u vranë në një sulm terrorist pak munuta para se të startonte ndeshja.

Futbollistët e Suedisë dhe ata belgë e mësuan lajmin në mesin e pjesës së parë dhe në dhomat e zhveshjes morën vendimin për të mos u kthyer sërish në fushë. Presidenti i Federatës së Futbollit të Suedisë, Frederick Reinfeldt u shpreh se edhe lojtarët belg ishin dakordësuar për të ndërprerë ndeshjen për arsye të sigurisë, por edhe në respekt të jetës.

“Është e tmerrshme të mendosh që dy prej tifozëve tanë u vranë në afërsi të stadiumit. Nuk e dimë se çfarë ndodhi me saktësi dhe nëse keqbërësi është ndaluar. Si skuadra jonë ashtu edhe ajo belge ishin dakord me vendimin për të ndërprerë ndeshjen dhe kjo duhet respektuar.

Lojtarët u informuan në mesin e pjesës së parë për atë që kishte ndodhur, në atë moment është pak e vështirë për ta kuptuar qartë situatën. Folëm me futbollistët dhe me qetësi morëm vendimin për të mos e vazhduar ndeshjen, ne të gjithë e duam futbollin, por është një situatë e jashtëzakonshme. Morëm një vendim në respekt të jetës dhe sigurisë”, u shpreh Reinfeldt.

Frika ishte e madhe për shkak se lojtarët ishin të shqetësuar për familjarët dhe tifozët e tyre të pranishëm në Bruksel, ndërsa për shumë minuta nuk dihej nëse ishte e sigurt apo jo dalja nga stadiumi./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA