Megaoperacioni “Tempulli” vijon ende, këtë herë në Krujë. 

Një 24-vjeçar ka rënë në pranga pasi shpërndante lëndë narkotike kanabis, në afërsi të shkollave.

I riu me iniciale J. D., u kap në flagrancë, në afërsi të një shkolle në Fushë Krujë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 24-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se në afërsi të shkollave në Fushë Krujë, një shtetas shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore”, thuhet ne njoftimin e policisë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Fushë Krujës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA