Të paktën 3,000 njerëz janë vrarë dhe 12,500 të tjerë kanë mbetur të lënduar në Rripin e Gazës që nga e shtuna e kaluar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza.
Spitalet kanë hyrë në një fazë të “kolapsit aktual” për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe mungesës së karburantit, tha në një deklaratë të martën zëdhënësi i ministrisë Ashraf Al Qidra.
“Dëmtimet e rënda në spitalin Al Karama në Gaza bënë që ai të vihej jashtë funksionit si rezultat i sulmeve ajrore të forcave izraelite pushtuese që synonin ndërtesat fqinje dhe rënien e tyre (ndërtesat) drejt tij”, thuhet në deklaratë.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të stacioneve të benzinës dhe kujtdo që posedon naftë që të kontaktojnë autoritetet për të siguruar karburant për shërbimet kritike mjekësore.
Rezervat e karburantit në të gjitha spitalet e Gazës janë në prag, me vetëm rreth një ditë furnizim të mbetur, tha më herët të martën një agjenci ndihmëse e Kombeve të Bashkuara dhe se “dështimi i gjeneratorëve rezervë do të rrezikonte jetën e mijëra pacientëve“.
Top Channel