Pas sekretarit të shtetit, Anthony Blinken, drejt Izraelit udhëton edhe vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden me një objektiv të qartë, rikonfirmimin e mbështetjes dhe solidaritetit të SHBA-së për shtetin hebre
Uashingtoni zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby pohoi gjithashtu se Biden do të udhëtojë edhe drejt Jordanisë për t’u takuar me Mbretin Abdullah, Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas.
Më herët, kreu i Shtëpisë së Bardhë pati shprehur përkrahje të plotë për reagimin e Izraelit ndaj Hamasit, duke thënë gjatë një interviste në emisionin “60 Minutes” të kanalit CBS se Tel Avivi do t’i kundërvihet “një grupi njerëzish që janë angazhuar në barbarizëm që është me po aq pasoja sa edhe Holokausti”.
Izraeli shtoi ai, do të bëjë “gjithçka të mundur për të shmangur vrasjen e civilëve të pafajshëm” dhe nënvizoi se pushtimi i Gazës do të ishte një gabim i madh. Kryediplomati Blinken njoftoi se është rënë dakord me Izraelin për një plan që do të mundësojë që furnizimet me ndihma humanitare të mbërrijnë tek civilët në Gaza. Pas ndalesës në Tiranë për Samitin e Procesit të Berlinit, drejt Izraelit udhëton edhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Për mua ka rëndësi të tregoj solidaritetin tonë edhe thjesht praktikisht përmes vizitës sime”, u shpreh Scholz. Kancelari gjerman do të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ku pritet të flitet për “çështje konkrete praktike”, si gjendja e sigurisë në Izrael dhe organizimi i ndihmës humanitare. Përveç kësaj do të diskutohet, se si mund të pengohet që konflikti të përhapet në rajone të tjera.
Scholz është i parë kryetar qeverie që udhëton në Izrael pas sulmit masiv të organizatës terroriste palestineze të Hamasit më 7 tetor. Më pas Scholz shkon për bisedime në Egjipt. Sipas ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, Joav Gallant, pritet një luftë e gjatë por e suksesshme kundër organizatës terroriste, Hamas. Gallant tha pas takimit me Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tel Aviv, se “kjo do të jetë një luftë e gjatë, çmimi do të jetë i lartë, por ne do të fitojmë, për Izraelin, për popullin hebre dhe për vlerat që ndajnë të dy vendet tona.
Top Channel