Udhëheqësit europian iu drejtuan ambienteve të brendshme të piramidës ndërtuar në vitin 1998 për nder të diktorit Enver Hoxha, i cili i quante vendet e tyre si imperialisto revizioniste.
Por sot e rikonstruktuar tërësisht, Piramida u kthye në vendmbledhjen e samit të udhëheqësve të Procesit të Berlinit për të folur për të ardhmen europiane të Ballkanit.
“Ndihem vërtetë mirë që bashkohemi e që kujtojmë atë udhëtim të përbashkët që u nis 9 vjet më parë nga Angela Merkel në Berlin, e që qëndrojmë këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit politik europian. Disa prej jush janë nga BE e disa të tjerë përfshi edhe veten jemi nga E-ja, pa B-në.E. Ka shumë sfida po për të gjithë ata ne këtu që përfaqësojmë Europën pa B-në, sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme midis anëtareve të BE-së dhe jo anëtarëve të BE-së. Në fakt, në kuadër të Planit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, investimet janë domethënëse por vetëm 10 % janë grante dhe 90% janë hua dhe ndërkohë mekanizmi përqasjes së tyre është i vjetëruar dhe i ngadalshëm. Ju lutem më kuptoni, nuk po kërkoj përfitime të barabarta financiare për vendet jo anëtare te BE-së apo një proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Procesi i bazuar në merita, drejt anëtarësimit të plotë duhet të vazhdojë për të mirën tonë.Plani i rritjes është një fillim premtues drejt kësaj rruge që në fakt do të eksplorojë në mënyrë kurajoze dhe të guximshme këtë mbyllje të kësaj ndarjeje midis kontinentit”, tha kryeministri Edi Rama.
“Shqipëria njihet për mikpritjen dhe kjo është vërtetuar edhe njëherë sot. E mbaj mend shumë mirë kur u takuam vjet në Berlin dhe të gjithë ramë dakord që Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm që të çlirohet potenciali i plotë i bashkëpunimit rajonal , por edhe për të përshpejtuar integrimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit është një forum bashkëpunimi, kur bashkëpunimi është i nevojshëm, pra kërkohet më shumë se kurrë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës edhe një herë ka treguar se sa e rëndësishme është që në të flasim me një zë të vetëm evropian dhe që ne të bashkëpunojmë edhe më tej. Edhe krizat e shumëfishta në rajon në Ballkanin Perëndimor kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më shumë së bashku dhe për të tejkaluar antagonizmat”, u shpreh kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Vetëm duke punuar së bashku, do të bëjmë të mundur që Ballkani Perëndimor të vijë aty ku meriton, në zemër të Bashkimit Evropian. Këto janë momente kyçe, momente të rëndësishme vendimmarrëse, mos i lini mundësitë t’ju shpëtojnë, kapeni momentin. Në këto kohë na duhen miqtë më të mirë të mundshëm. Prandaj le të punojmë së bashku që ju të bëheni pjesë e Bashkimit Evropian. Kemi hedhur themele të forta me planin tonë të investimit ekonomik prej 30 miliardë euro. 16 miliardë euro janë përdorur tashmë. Ne duam të hapim për vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun evropian. Por, hapja e dyerve nuk mjafton, vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të plotësojnë tregun e tyre rajonal të përbashkët. Është kusht që dhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë qasje fqinjëve të tyre. Në rast se ka bllokime, është se bllokojnë veten”, tha Ursula von der Leyen.
“Duhet nxituar bashkëpunimin midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian duke patur integrimin në BE si dritën integruese. A është BE-ja e kënaqur vetëm të menaxhojë kriza, apo duam të udhëheqim dhe formëzojmë të ardhmen? Zgjerimi është pjesë e kësaj përgjigje, sepse zgjerimi është investim në paqen dhe begatinë qoftë të BE-së ashtu dhe të anëtarëve tanë të ardhshëm dhe Procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, duke patur integrimin ne BE si dritën orientuese. Partnerët dhe miqtë tanë në rajon, ju e dini që duhet të realizoni angazhimet tuaja, duke e nisur me reformat e nevojshme, e ne në BE duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj deri në 2030 për t’u zgjeruar dhe e di që ky afat, është hasur me disa skepticizma në rajonin tuaj, sepse keni pritur për një kohë të gjatë dhe e di Edi, që e keni krahasuar zgjerimin me një nuse dhëndri i së cilës nuk vjen asnjë herë në dasmë. Megjithatë ne po e përgatisim këtë dasmë”, u shpreh presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel.
Top Channel